Web Analytics

Trashëgimi politike apo “damnatio memoriea”?

Botuar nga: InfoKosova

Roma e lashtë dhe perandoria e saj, historinë e shtrinë në katër etapa që lidhën urën midis dy epokave, të cilat edhe sot njerëzimi i njeh si: para dhe pas Krishtit.

Nga: Gelanda Shkurtaj

Në kohën e Mbretërisë romake, kur mbreti vdiste, vihej në fuqi një institut juridik i quajtur Interrex, që ishte hapësira kohore brenda së cilës senatorët mbanin postin e mbretit me radhë e për disa ditë, derisa të zgjidhej mbreti i ardhshëm me votë plebishitare. Konsujt romakë drejtonin në mënyrë kolegjiale, duke mos dashur përqendrimin e pushtetit në dorë të një individi. Ushtrimi i detyrës bëhej nga njerëz me karrierë të gjatë politike dhe ushtarake, e ku pozicioni i konsullit nuk kishte pagesë, por ishte vetëm honorifik. Ata krijuan modele të drejtimit institucional të shtetit dhe të drejtësisë, të cilat bota nuk ka arritur t’i zëvendësojë edhe pas shumë shekujve. Nga monarkia deri të perandoria bizantine u kodifikuan dhjetë shekuj histori politike dhe juridike, në digestat e famshme të të fundit perandor të saj, Justinianit. Në kohët që pasuan, dorëshkrimet e historianëve oborrtarë mësojnë se krimbi i pushtetit bëri që mbretërit dhe perandorët zgjedhjen e tyre të mos e linin më në dorë të propozimit nga senati dhe votimit nga plebenjtë apo qytetarët e Romës. Zgërqet e shpluhurosura të historisë zbulojnë se instituti i trashëgimisë e ka gjenezën pikërisht tek ruajtja e fronit nëpërmjet dinastisë, pra lind si një interes politik, që më pas u zgjerua edhe në marrëdhëniet civile dhe ato pronësore. Në periudhën e republikës, për të kënaqur preferencën individuale të perandorit, parazgjedhja e trashëgimtarit politik nisi të bëhej edhe mbi baza adoptimi, pa qenë e nevojshme lidhja e gjakut për trashëgiminë e fronit. Kështu kanë ardhur në pushtet Neroni, Jul Çezari e të tjerë. Gërryerja për pushtet largoi fort mendësinë e themeluesve të perandorisë, nga ajo e barazisë së individëve para ligjit dhe Zotit, tek ajo e ruajtjes së pushtetit me dhunë, korrupsion e goditje bërrylash. Demagogjia politike e mbajtur me “thonj” të përlyer në padrejtësi do të çonte në mënyrë të pashmangshme tek rënia e yllit të një perandorie, e cila u shtri në tri kontinente e që shkroi historinë politike të njerëzimit për gati gjysmën e jetës së saj.

Trashëgimia politike

Arsyeja e trashëgimisë politike ka dy përqasje mbi të cilat përligjet ose jo qenësia e saj. Nëse në njërën anë ajo justifikon ruajtjen në mënyrë konservatore të linjës politike atërore ose ideologjike, ta quajmë si të duam, në anën tjetër ajo është shfaqje e qartë e vullnetit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe çka më keq, frikës për mos humbjen e tij. Historia mëson se tendenca e të gjitha grupimeve politike është pikërisht ajo e mbajtjes nëpërmjet dinastisë së trashëgimisë edhe pushtetin. Në këtë pikë, njerëzimi nuk ka evoluar brenda species së tij, por ajo çfarë zhvillimi i mendimit politik sugjeron është se, edhe sikur politika e trashëguar të jetë modeli më i mirë, ajo ka nevojë për një rotacion politik si brenda strukturës së saj, ashtu edhe në nivel të partive të tjera politike. Kjo është filozofia mbi të cilën shkolla e politikës, orienton demokracitë moderne drejt modelit qeverisës. Në këtë mënyrë dëgjohen gjithmonë zëra të rinj dhe ka alternativa të ndryshme, të cilat sjellin ndryshimin, me dëshirën se do të jenë gjithnjë në progres. Në kahun tjetër, mbajtja e trashëgimisë politike për të transmetuar me fanatizëm idetë politike e akoma më keq për ruajtjen e familjes si trashëgimtare të fronit janë modele monarkish feudale (tanimë jo më bashkëkohore) dhe shtetesh të vogla që nuk dalin dot nga një mentalitet i ngushtë i politikëbërjes.

Kjo e fundit ka përfaqësues prototip vende si Shqipëria, ku modeli korruptiv i klasës drejtuese ka mbuluar deri në fyt edhe partitë drejtuese edhe ato opozitare, për të mos u distancuar nga njëra-tjetra në asnjë tipar e për të ardhur në pikën që, kur këto godasin sho-shoqen për parime morale është njëlloj si të dëgjosh ligjëratën “i thotë gomari lepurit sa të mëdha i ke veshët”. Mund të spekulohet vetvetiu se humbja e trashëgimisë në pushtet nga “perandori” te bijtë biologjikë apo adoptivë kërcënohet nga prekja e pozitës sociale dhe pasurore, jo asaj morale njëmendësh. Po çfarë kanë që tremben kaq shumë se do të humbin? Një rrogë mujore apo mos ndoshta para të fituara pa mund, apo përlyerje në afera që shpresojnë t’i mbyllin, por që karma do i përndjekin edhe sikur të shkojnë në hënë? Fakti i mospasjes së një shembulli ndryshe nga partitë kundërshtare apo ato të koalicionit, ku modeli konvertohet nga babë/bijë në nivel burrë/grua, bën edhe më dëshpëruese shpresën e pasjes së një alternative ndaj modelit të parë. Në këtë mënyrë trashëgimia politike në Shqipëri përfaqësohet nga alternativa me të cilat propabiliteti i pasjes së drejtësisë, ligjit, rregullit dhe standardeve minimale jetike, si pasojë e rrahjes dhe debateve të mendimeve brenda strukturave kanë gjasa të kalojnë më parë nga Kina.

Ithtarët, mbështetësit e vetëm të bijve politikë

Ka disa aspekte që janë të përbashkëta në lidhje me sjelljen e ithtarëve ndaj lidershipit në Shqipëri dhe ku ata, të çfarëdolloj poli qofshin, bien në emërues të përbashkët mbi këto fakte; a – të gjitha partitë në pushtet apo opozitë, kur kanë kaluar në rotacion pushteti janë përlyer në afera korrupsioni dhe në skandale mitmarrjeje; b – për këto afera ata nuk janë përgjigjur asnjëherë përpara drejtësisë së drejtuar nga ata vetë, bazuar mbi paktin e heshtur të mosprekjes; c– të besosh se ka moral atje ku, ai që vodhi më pak është më i mirë se ai që vodhi më shumë, dhe ta përdorësh këtë tezë si arsye mosbindje qytetare apo më keq si alternativën më të mirë qeverisëse, atëherë pasojat janë dy: Ose këta ithtarë janë tifozë politikë dhe nuk kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë, ose ka një rrugë tjetër, që është fituesja më e mundshme: ata janë njëlloj bashkëfajtorë. Modeli i tyre është lideri i pasuruar që i pasuron me ardhjen në pushtet, në këtë mënyrë largpamësia politike nuk shkon më gjatë se portofoli dhe po në portofol përfundon edhe morali i tyre për të ndryshuar strukturën dhe vizionin e partisë politike.

Për këta ithtarë se kush e drejton partinë dhe se kujt do t’i kalojë testamenti i pushtetit janë problemet e fundit që mund të cekë ndërgjegjja e tyre politike. Për ata, morali politik mbaron me ardhjen në pushtet dhe patriotizmi se ku do të shkojë Shqipëria nesër, kufizohet te çjerrjet për komb e atdhe, kur ngrihet flamuri në Air Albania, nën himnin kombëtar. Ndonjëherë, ndonjë syresh mbush edhe sytë me lot (!), e ky është ai momenti ku ithtarët shkrihen nga ngazëllimi se ai, perandori, është kombëdashësi më i madh mbi tokë. Pjesa tjetër e vizionit atdhedashës mbi Shqipërinë ndalon te “vjelja dhe vjedhja e shtetit”.

Trashëgimi politike apo ‘damnatio memoriea’?

Kjo frazë që në latinisht do të thotë, në një përkthim të përafërt “mallkuar qoftë kujtimi”, është përdorur nga romakët kundrejt të gjithë atyre perandorëve, të cilët ishin shquar për tirani, vrasje, shkatërrim, pra çdolloj krimi të bërë kundër shtetit. Po përsëri historia mëson se Senati i Romës u mblodh për të hequr kujtesën e shumë prej perandorëve të saj, që në përqasje bashkëkohore do të quheshin qeveritarët e sotëm në kuptimin e gjerë. Të tillë ishin Kaligula, Neroni, Domitiani, Geta e disa të tjerë. Me këtë, atyre nuk iu mohohej gjithçka e mirë që kishin bërë për ndërtimin e Romës, për rrugët, kanalizimet, ligjet, statujat e shumë pasuri, të cilat janë konservuar më fanatizëm deri në ditët e sotshme. Por kur u vunë në peshore të mirat dhe të këqijat e çdo pushteti dhe kur peshorja u anua nga shkatërrimi, dënimi, korrupsioni që i kishin bërë vetë shtetit dhe qytetarëve të tyre, romakët nuk e menduan gjatë për të stigmatizuar sjelljen dhe emrat e tyre si damnatio (të mallkuar). Në fakt, disa prej tyre nuk mbahen mend, sepse heqja e kujtesës në formën e abandonimit duke mos ua përmendur emrat bëri vërtetë që njerëzimi t’i harrojë. Në këtë mënyrë, ata mbrojtën moralin njerëzor dhe hoqën çdo shembull, ku drejtuesi i shtetit duhet të ishte edhe i mirë, edhe i keq. Ky nuk mundet dhe nuk duhet të jetë kriteri matës për ata që kanë zgjedhur të drejtojnë një shtet. Mund të mos duhen nga të gjithë, por kush ka punuar ndershmërisht, ka marrë në këmbim respektin edhe nga kundërshtari më i egër politik. Konsideroni sa “perandorë” shkatërrues ka pasur dhe ka Shqipëria të cilët janë katërcipërisht identikë kur vjen kryefjala te bastisja dhe krimet që i kanë bërë këtij kombi. Asnjë vrasje ndërgjegje, asnjë ndarje morale, asnjë falje! E kështu, historia jonë do të vijojë kush e di se për sa dekada, e deri atëherë, trashëgimia politike do të mbetet brenda të njëjti soj e me fytyrën e së njëjtës race “perandorësh”, me ndryshimin e vetëm: akrepat e orës. Ndaj, të paaftë për t’i rrëzuar, testamenti më i mirë që shqiptarët mund t’u lënë politikanëve të djeshëm e bijve të ardhshëm duhet të jetë një “damnatio memoriae”, zhdukja e kujtesës së tyre!

Të FUNDIT