Web Analytics

Evropa në rrezik

Burimi: The Guardian (titulli origjinal: War or peace? Dictatorship or democracy? Europe’s future is on the linë)

Gjatë këtij viti kam qenë në më shumë se 20 shtete evropiane dhe kam parë dy Evropa. Përgjatë pjesëve të mëdha të kontinentit – kur udhëtoni pa probleme midis demokracive shumë të integruara liberale, të përcaktuara për të zgjidhur të gjitha konfliktet e mbetura përmes mjeteve paqësore – ju ende jeni në një Evropë ku trenat e shpejtësisë së lartë ju bartin përtej kufijve të cilët mezi i vini re. Por, merreni një tren të vjetër të ngadaltë, vetëm disa orë më në lindje, dhe do ta kaloni kohën nëpër strehimoret e bombave dhe do të flisni me ushtarët – rëndë të plagosur – për rrëfimet nga istikamet që ta kujtojnë Luftën e Parë Botërore. Në telefonin tim e mbaj aktiv aplikacionin Air Alarm Ukraine, kështu që atë Evropën tjetër për çdo ditë ma kujtojnë paralajmërimet për sulmet ajrore në qytetet e Ukrainës.

Ekziston një dualizëm përkitazi me politikën tonë. Shumë vende evropiane ende kanë qeveri të spektrit midis qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë, shpeshherë me koalicione të ndërlikuara, megjithatë që të gjitha të përkushtuara – në një mënyrë apo tjetër – për të funksionuar si demokracia liberale ashtu edhe Bashkimi Evropian. Në Poloni, këtë javë ne mund ta festojmë rikthimin e një qeverie të tillë nën Donald Tuskun, që ka dëbuar një parti nacionaliste populiste që në mënyrë të rrezikshme e kërcënonte demokracinë e vendit. Nga ana tjetër, suksese të dukshme kanë shënuar partitë nacionaliste populiste të së djathtës ekstreme – që nga dalja e Giorgia Melonit si kryeministre italiane gjatë vitit e kaluar, e deri te fitoret shqetësuese në zgjedhjet rajonale të Alternativës për Gjermaninë (AfD) dhe fitores së fundit zgjedhore të Geert Wildersit në Holandë. Udhëheqësi hungarez Viktor Orbán është më agresiv se kurrë, pasi punon kundër interesave dhe vlerave të BE-së duke i shfrytëzuar të gjitha avantazhet e anëtarësimit në të. (Breksiterët të paktën e kishin ndershmërinë për ta braktisur klubin që e urrejnë.)

Në samitin e rëndësishëm të BE-së që nis të enjten në Bruksel, këto dy Evropa do ta bëjnë një betejë politike me njëra-tjetrën. Ajo për çfarë vendosin do të ndikojë ndjeshëm në çështjen më të madhe nëse po shkojmë drejt Evropës së luftës apo të paqes, të diktaturës apo të demokracisë, të shpërbërjes apo të integrimit. Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Vladimir Putin më 24 shkurt 2022, ia dha fund periudhës së pas-Murit – asaj që filloi me rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 – dhe tani jemi në vitet formuese të një periudhe të re, emrin dhe karakterin e së cilës ende nuk e njohim. Në politikë, si në çdo marrëdhënie, nismat kanë rëndësi. Vitet e para pas 1945-ës i vendosën parametrat bazë për një rend evropian që zgjati pastaj me dekada – siç ndodhi me vitet menjëherë pas 1989-ës.

Në aspektin intelektual, liderët evropianë këtë e dinë. Është temë e fjalimeve të mijëra politikanëve dhe uebinarëve të grupeve të mendimit. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, ndjeshëm i ka ndryshuar qëndrimet ndaj sigurisë në vendet e tilla si Gjermania dhe Danimarka, për të mos përmendur Finlandën dhe Suedinë që katapultuan nga neutraliteti i gjatë drejt anëtarësimit në NATO. Por, në aspektin emocional dhe në shoqërinë e gjerë, gjërat janë më pak të qarta. Në fillim të këtij viti, një student i Universitetin e Gëttingenit më pyeti nëse mendoj se do të ketë një gjeneratë të re evropiane të “22-shit” – me angazhimin e tyre për të ndërtuar një Evropë më të mirë, që kalitet nga ndikimi i luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945. Që atëherë, këtë pyetje e kam shtruar në të gjithë kontinentin, por reagimet nuk janë inkurajuese. Edhe në Republikën Çeke dhe në Sllovaki, njerëzit tundin kokën dhe thonë “në fakt, jo”. Në vendet më në perëndim, si Italia, Spanja, Portugalia apo Irlanda, negativja është edhe më e vendosur.

Kjo pjesërisht është kështu për shkak të vetë fuqisë së rendit evropian – i ndërtuar që nga viti 1945 dhe i zgjeruar dhe i thelluar që nga viti 1989. Njerëzit që jetojnë në vendet që i përkasin NATO-s dhe BE-së, ende nuk besojnë se lufta vërtet mund të vijë në dyert e tyre të përparme. Me një grumbull problemesh në shtëpi, nga inflacioni deri te shtetet me vështirësi të mirëqenies, ata natyrisht se janë ngurrues për t’u përballur me sfidat e frikshme përreth nesh – nga lufta në lindje te presionet migratore në jug, nga shkrirja e akullit në veri te perspektivën e një presidence të dytë të Donald Trumpit në perëndim. Dhe, politikanët e tyre hezitojnë t’ua thonë këtë në mënyrë të drejtpërdrejt, nga frika se nuk rizgjidhen.

E ndarë mes këtyre dy Evropave, supozohet se shumë prej këtyre çështjeve BE-ja do t’i adresojë përpara Krishtlindjeve. Në Këshillin Evropian, këtë javë, liderët e BE-së duhet ta marrin vendimin jetik për të hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, t’ia japin asaj mbështetjen e vazhdueshme ushtarake dhe financiare (sidomos kur kjo po rrezikohet në Uashington) dhe të shtojnë buxhetin e BE-së për ta bërë këtë të mundshme. Por, Orbáni kërcënon ta vë veton ndaj gjithë kësaj. Gjithashtu synojnë të diskutojnë për luftën Izrael-Hamas – për të cilën BE-ja ka qenë e ndarë dhe joefektive, megjithëse konflikti kërcënon drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërkomunale të vetë shoqërive tona – si dhe politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes që po bëhet urgjente teksa përballemi me perspektivën e presidentit Trump 2.0 që ta tërheq qilimin nën këmbë.

Supozohet se ministrat e Financave të BE-së, javën e ardhshme do të bien dakord për marrëveshjen e kompromisit franko-gjerman mbi rregullat e reja fiskale që janë aq të ndërlikuara dhe të paqarta saqë, edhe me një peshqir të ftohtë të lagur e të mbështjellë rreth kokës, është e vështirë t’i kuptosh ato. Megjithatë, rritja e ardhshme ekonomike e Evropës dhe punët që ofrojnë shanse jetese për të rinjtë evropianë, do të varen nga efekti i tyre.

Presidenca spanjolle e BE-së gjithashtu po aspiron (shpresa kundër shpresës!) të arrijë marrëveshje për një paketë të re të BE-së për politikën e migracionit. Çështja e migracionit po trondit politikën e shumicës së vendeve evropiane. Italia ka bërë marrëveshje me Shqipërinë për të trajtuar atje kërkesat e azilit. Qeveria e koalicionit e Gjermanisë po prezanton një grup të ri të ashpër të politikave të migracionit. Në Francë, qeveria e Emmanuel Macronit sapo e pësoi një disfatë dërrmuese me projektligjin e ri të emigracionit, sepse e djathta nuk e konsideroi atë si mjaft të ashpër. (Në këtë aspekt, Britania është një vend krejtësisht tipik evropian, me përjashtim të faktit se nuk e njeh atë dhe dëshiron që të gjithat t’i bëjë vetë.)

Duke i nënvizuar të gjitha këto çështjeve, mjaft të rënda, është edhe një çështje më e madhe: a mundet një bashkësi politike demokratike – e bazuar në ligj – e 27 shteteve shumë të ndryshme, pa një hegjemon të vetëm, të qëndrojë unike dhe të japë rezultate? Çështja e reformimit të BE-së, në mënyrë që ajo të mos e ketë mundësinë të përmbyset nga akterët mashtrues si Orbáni, në përgjithësi shtrohet në kontekstin e një zgjerimi të mundshëm për të krijuar një Union prej më shumë se 35 shteteve anëtare, por dilema që tash është aty. Me qenë se po fragmentohet politika e partive evropiane, kjo do të thotë të luftosh jo vetëm me 27 interesa të ndryshme kombëtare, por me kompleksitetin e shtuar të qeverive të shumta të koalicionit. Dhe, le të jemi të qartë: ky lloj dhe kjo përmasë e bashkimit johegjemonik, me pëlqim, nuk është bërë kurrë më parë në historinë evropiane dhe nuk ka asgjë të ngjashme me të – askund tjetër në botën e sotme.

Cila nga këto dy Evropa do të mbizotërojë? Kjo është pyetja që kudo ma kanë shtruar gjatë këtij viti, meqë historianët patjetër duhet ta njohin të ardhmen. Por, përgjigja nuk qëndron te ndonjë proces i pashmangshëm historik, por te ne. Varet nga ne. /Telegrafi/

Nga rubrika