Web Analytics

Njeriu që kombi e ka lënë vetëm

Botuar nga: InfoKosova

Sali Berisha mund t’ia kursente vetes shkuarjen në Vlorë ditën e sotme. Të gjithë do ta gjenin me mendjen e tyre një arsye më të mirë se ajo që ka gjetur ai. Moshën për të mos lëvizur e ka. Prangat i ka si zinxhirë gjylesh nëpër këmbë. “Non grata” në dy nga shtetet më të mëdha të Perëndimit, aleate strategjike të Shqipërisë, është. Opozitën e ka copëtuar dhe nuk i shkon njeri pas. Me gjithë diversionet që bën, as nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, nuk ka njeri qejf të identifikohet me të.

Në një farë mënyre kombi ynë e ka lënë vetëm dhe e ka nxjerrë fillimisht si tepëricë politikisht dhe tani dhe biologjikisht. Askush nuk pret që ai të sillet si burrë shteti dhe të shkojë të respektoj ditën e Pavarësisë në Vlorë, një qytet që ka qenë gati ta shfarosë vetëm pse u ngrit kundër tij.

Por meqë shkoi, së paku duhet të sillej siç sillet dikush që duhet të respektojë ditën e Pavarësisë kombëtare. Pavarësia e një vendi vjen gjithnjë nga bashkimi i burrave të mëdhenj të një vendi, që vendosin të bëjnë shtetin e tyre. Kështu ka ndodhur dhe me ne më 1912.

Për këtë arsye në këtë ditë çdokush që shfaqet për të nderuar këtë ditë, flet në emër të bashkimit. Madje dhe kur është vetëm fare si Sali Berisha, që nuk i shkojnë as deputetët e Vlorës nga pas, përsëri e ka detyrë të flasë në emër të bashkimit, pasi po shkon aty për të respektuar një ditë kur shqiptarët janë bashkuar për të bërë shtetin e tyre.

Ai ashtu i shtrembëruar nga mosha, por më shumë nga ligësia dhe urrejtja brenda vetes, shkoi tek Monumenti i Ismail Qemal Beut dhe u betua që do hakmerrej ndaj kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka kohë që jo për faj të tij, nuk e llogarit më as për rival. E vetmja fjali e tij ishte një përrua psikik urrejtje ndaj një kryeministri në ditën e Pavarësisë.

Më gjeni një tjetër të dytë në gjithë globin që e bën këtë ditën e Pavarësisë. Ai është i lirë të mos festojë. Është i lirë të mos shkojë në Vlorë. Është i lirë dhe të mos flasë nëse shkon. Askujt nuk do t’i mungojë fjalimi apo prezenca e tij.

Por me sa duket liria e tij për të qenë njeri normal është e kufizuar. Në ditën e Pavarësisë, ai është i vetmi politikan në botë që është i varur nga urrejtja për kundërshtarët dhe betohet për luftë. Jo për luftë ndaj armiqve të Shqipërisë. Jo ndaj dikujt që na rrezikon pavarësinë. E bën ndaj dikujt që i ka hequr këtij njeriu në emër të popullit shqiptar, të drejtën për të qeverisur në këtë vend. Dhe sot ngjan si jashtëqitje e kombit./ Mero Baze

Të FUNDIT