Web Analytics

Osmani: Të punojmë për zvogëlimin e hendekut gjinor, vajzat dhe gratë duhet të ndjehen të fuqizuara

Botuar nga: InfoKosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 20 vajzave në fushën e arsimit inxhinierik në kuadër të programit “Global Engineer Girls Kosovo”.

Osmani para të pranishmëve tha se i gëzohet përherë ngjarjeve të tilla që në qendër kanë gratë dhe vajzat.

“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla që në qendër kanë gratë dhe vajzat. Është koha për tu siguruar që çdo mendje e ndritur të ketë mundësi të barabarta”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se është e domosdoshme të punojmë për zvogëlimin e hendekut gjinor në mundësinë e punësimit.

“Çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur. Është detyrë e jona të krijojmë mjedis ku çdo vajzë pa frikë mund të thotë të unë dua unë mund dhe unë do t’ia arrijë. Në këtë ditë të veçantë ju përgëzoj për suksesin dhe uroj ti frymëzoni brezat e ardhshëm në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë”, tha Osmani.

Presidentja është nderuar edhe me një çmim nga GEG Kosova, si shenjë falënderimi për bashkëpunimin e saj.

Global Engineer Girls Kosovo është themeluar në vitin 2022, në partneritet me Limak Kosova dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

Nisma filantropike mbështet studentet femra të regjistruara në arsimin inxhinierik duke ofruar bursa dhe akses në programet e mentorimit, mundësitë e rrjetëzimit dhe kurset për zhvillim personal dhe profesional. /Telegrafi/

Të FUNDIT