E premte, 27 Dhjetor, 2024
0.3 C
Pristina

Osmani: Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz, që duhet të marrë dënimin e merituar

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademaj – Murseli, e cila u vra më 29 nëntor në Prishtinë.

Osmani thotë se vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

“Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë.

Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj”, ka theksuar ajo.

Tutje, presidentja ka shkruar se “ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”.

“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”.

30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.

Po në këtë ditë u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.

“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Sipas raportimeve në media, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.

Tre të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçares do të dalin para gjykatësit më 3 dhjetor./Telegrafi/

PROMO

Nga Rubrika