Pasioni që sfidon moshën: 90-vjeçari japonez që vazhdon të triumfojë në bodybuilding

Toshisuke Kanazawa, një emër që përfaqëson një frymë të pakrahasueshme, vazhdon të mbajë gjallë pasionin e tij për bodybuilding-un, pavarësisht se ka arritur moshën 90-vjeçare. Ai është një shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe disiplinës, duke u stërvitur gjashtë ditë në javë dhe duke marrë pjesë në gara, duke e konsideruar këtë sport si një pjesë të pandarë të jetës së tij.

Me një koleksion mbresëlënës prej 19 titujsh kombëtarë dhe gjashtë titujsh botërorë në kategorinë Masters, Kanazawa ka arritur suksese të jashtëzakonshme, duke përfshirë edhe arritje pas moshës 80-vjeçare. Këto fitore janë dëshmi e pasionit të tij të pandërprerë për bodybuilding-un.

Kanazawa lindi në vitin 1936 në Prefekturën Shimane, një zonë e njohur për bukuritë natyrore të Japonisë. Fillimisht, ai u angazhua në not, duke u shquar në garat e 1,500 metrave stil i lirë gjatë shkollës së mesme. Megjithatë, një problem muskulor e detyroi atë të ndryshonte drejtimin e karrierës dhe të përqendrohej në bodybuilding.

Vendimi për të ndjekur këtë pasion nuk u prit mirë nga babai i tij, i cili besonte se të rinjtë duhet të punonin. Megjithatë, nëna e tij e mbështeti atë në këtë rrugëtim, duke i dhënë forcën e nevojshme për të vazhduar përpara.

Kanazawa e premtoi familjes së tij se do të bëhej bodibilderi më i mirë në Japoni, një objektiv që kërkonte vite për t’u realizuar. Ai kalonte rreth gjashtë orë në ditë në palestër dhe ushqehej me vakte të thjeshta, duke përdorur paratë e fituara nga punët e rastit për të blerë ushqime të shëndetshme.

<pNë moshën 24-vjeçare, ai fitoi titullin e parë Mister Japonia dhe e përsëriti këtë arritje tre vite më vonë. Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte pjesëmarrja në garën Mr Universe në Montreal në vitin 1967, ku konkurroi përballë legjendave si Arnold Schwarzenegger dhe Sergio Oliva.

Pasi u tërhoq për një periudhë të gjatë, Kanazawa u rikthye në bodybuilding në moshën 50-vjeçare, duke u motivuar nga dëshira për të inkurajuar bashkëshorten e tij, e cila kishte probleme shëndetësore. Ai dëshiron të tregojë se gjithçka është e mundur, pavarësisht sfidave.

Pas rikthimit, ai fitoi Kampionatin Masters dhe më pas shtoi në koleksionin e tij edhe gjashtë tituj botërorë në kategorinë Masters, të fituar pas moshës 80-vjeçare. Edhe sot, në moshën 90-vjeçare, ai stërvitet dy orë në ditë, duke u fokusuar në ushtrime që i përshtaten trupit të tij.

Kanazawa thekson se nuk ka konsumuar kurrë duhan dhe se nuk pi alkool. Ai ka eliminuar mishin dhe peshkun nga dieta e tij, duke u përqendruar në orizin e kaftë, supën miso dhe vezët e gjalla. Ai e cilëson veten “100% natyral” dhe beson se arritjet e tij janë rezultat i stërvitjes dhe disiplinës.

Ai e sheh moshen si një sfidë, por nuk lejon që kjo të ndikojë në qëllimet e tij. “Dua të jem bodibilder deri ditën që të vdes”, shprehet ai, duke e theksuar përkushtimin e tij të palëkundur ndaj këtij sporti.

Nga Rubrika