Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se në dy vitet e fundit janë regjistruar pesë raste të rëndësishme ku përfshihet përdorimi i pakontrolluar i armëve nga policët, duke përfshirë edhe kadetët e rinj. Aksidenti më i fundit përfshiu një zyrtare policore, e cila u plagos aksidentalisht dhe u suspendua menjëherë nga detyra.
Rritja e incidenteve të këtij lloji ka rikthyer në diskutim nevojën për zgjatjen e trajnimeve policore nga tre në gjashtë muaj, si dhe për rregulla më të qarta të sigurisë dhe disiplinës lidhur me ruajtjen dhe përdorimin e armëve jashtë orëve të shërbimit.
Gjatë viteve 2023 dhe 2024, IPK ka hetuar pesë raste të ndërlikuara që lidhen me sjelljen e papërshtatshme të punonjësve të policisë për sa i përket përdorimit të armës zyrtare. Një tjetër incident i dukshëm në këtë vit përfshin një zyrtare policore e cila plagosi veten përmes përdorimit të pakontrolluar të armës, për të cilën është suspenduar.
“Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, ka iniciuar dy raste ndaj dy punonjësve policorë në vitin 2023 dhe ka vazhduar me tre raste të tjera në vitin 2024. Aktualisht, një punonjës policor është në masën e suspendimit, ndërsa rastet e mëparshme kanë rezultuar me tri suspendime dhe një arrestim”, deklaruan nga IPK.
Pavarësisht numrit të vogël të rasteve të tilla krahasuar me numrin total të oficierëve, incidentet e përdorimit të pakontrolluar të armëve janë alarmante. Sipas IPK-së, këto raste shpesh herë ndodhin si rezultat i mosrespektimit të rregullave të sigurisë gjatë trajtimit të armëve.
Refki Morina, ish-nënkolonel policor, thekson se nevojitet shpërndarja e trajnimeve praktike dhe zgjerimi i periudhës së trajnimeve nga tre në gjashtë muaj. Ai argumenton se trajnimet e vazhdueshme janë të domosdoshme për të garantuar që kadetët të jenë të përgatitur për situatat e vështira dhe të kuptojnë plotësisht përgjegjësitë e tyre si zyrtarë policorë.
“Trajnimi për mbajtjen, bartjen dhe përdorimin e armëve është shumë i shkurtër. Pjesëmarrësit në Akademinë Policore duhet të kenë mundësi të stërviten më gjatë dhe të jenë të aftë të menaxhojnë armët në situata të ndryshme”, shprehet Morina.
Po ashtu, ai thekson rëndësinë e kontrolleve psikologjike të rregullta për zyrtarët që lidhin punën e tyre me situata stresuese. “Një zyrtar që manipuluar me armën e tij së pari rrezikon jetën e tij, pastaj të familjes dhe qytetarëve. Stresi i përhershëm ndikon në vendimet e tyre dhe për këtë arsye, kontrollet mjekësore duhet të jenë të vazhdueshme”, shton ai.
Xhemajl Ademaj, njohës i balistikës dhe sigurisë, propozoi rishikimin e udhëzimeve dhe parimeve për përdorimin e armëve nga ana e policëve. “Moskujdesi personal është një nga arsyet kryesore të incidenteve, dhe zyrtarët nuk duhet të përdorin armët jashtë detyrës. Rregullat për përdorimin e armëve duhet të përmirësohen”, shprehet ai.
Incidenti i fundit, i cili ndodhi në fillim të këtij muaji, përfshiu një zyrtare policore nga Prizreni që plagosi veten gjatë përdorimit të pakontrolluar të armës. Ky rast ka ngritur shqetësime në opinionin publik dhe ka nxitur thirrje për masa më të rrepta për trajnim dhe mbikëqyrje të zyrtarëve policorë.