Web Analytics

QKUK jep detaje për gjendjen shëndetësore të personave të lënduar në aksidentin në Veternik

Botuar nga: InfoKosova

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të personave që u lënduan mbrëmë në një aksident trafiku në Veternik.

QKUK njofton se përkundër ndihmës së ofruar nga mjekët, njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, transmeton Telegrafi.

“Pas orës një, të mesnatës, 5 persona kanë kërkuar trajtim emergjent mjekësor, në kuadër të Klinikës Emergjente, në QKUK, si pasojë e aksidentit në trafik. Ekipet mjekësore në përbërje të mjekëve emergjent, mjekëve të klinikave tjera dhe të infermierëve menjëherë kanë ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Edhe përkundër përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, njëri nga të aksidentuarit që ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë. Një tjetër i aksidentuar vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transferuar për trajtim të mëtejmë në Mjekimin Intensiv Qendror-QKUK”, thuhet në njoftim.

Tutje, QKUK bën të ditur se dy të aksidentuar të tjerë po vazhdojnë trajtimin mjekësor, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torkale dhe tjetri në atë të Neurokirurgjisë.

“Një person pas ndihmës dhe trajtimit emergjent mjekësor është liruar për në shtëpi”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndryshe, një person ka humbur jetën, ndërsa katër tjerë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Ferizaj, më saktësisht në Veternik.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 01:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete (një veturë e parkuar), ndërsa dy kanë qenë në lëvizje”, tha ajo.

Ahmeti bëri të ditur se “si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar pesë persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka vdekur”./Telegrafi/

Të FUNDIT