Rita Ora, një nga yjet më të njohura të muzikës pop me origjinë shqiptare, ka ndarë përsëri krenarinë e saj për prejardhjen kosovare gjatë një interviste për Time Out London.
Ylli ndërkombëtar i muzikës, e cila ka pushtuar skenat botërore me hitet e saj, ka folur me pasion për Kosovën dhe për rrugëtimin e saj nga një fëmijë i ardhur nga lufta, në një ikonë të muzikës.
Rita, e cila u largua nga Kosova së bashku me familjen e saj në një periudhë të trazuar të vendit, kujton me nostalgji sfidat e mëdha me të cilat u përballën prindërit e saj kur u vendosën në Londër. “Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për ne. Mamaja ime, e cila është psikatre, dhe babai im, një sipërmarrës në fushën e gastronomisë, duhej të mësonin një gjuhë të re dhe të rindërtonin jetën e tyre nga fillimi,” rrëfen ajo.
Megjithëse Rita ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse, ajo thekson se asnjëherë nuk ka harruar rrënjët e saj. Për të, Kosova mbetet një pjesë e pandashme e identitetit dhe trashëgimisë së saj kulturore. “Mamaja është shumë, shumë kosovare – me theksin e saj, me ushqimin. Unë gjithmonë jam rreth saj,” thotë ajo me një buzëqeshje plot dashuri.
Një nga momentet më prekëse të intervistës është kur Rita reflekton mbi yjet e tjerë që kanë dalë nga Kosova dhe rajoni. “Nuk e di çfarë ka në ujin e Kosovës, por jam shumë krenare për të gjithë yjet e mrekullueshëm të pop-it që kanë dalë nga Kosova,” shprehet ajo.
Ky koment i saj është një njohje e talenteve të shumta që kanë shënuar sukses ndërkombëtar, si Dua Lipa, Bebe Rexha, dhe të tjerë.
Përveç muzikës, Rita Ora ka përqafuar edhe role të tjera në industrinë e artit dhe biznesit.
Ajo ka provuar veten në aktrim, duke marrë pjesë në filma të suksesshëm, si dhe ka lansuar një markë të vetën të tequilas, duke dëshmuar se nuk është thjesht një yll i muzikës, por edhe një sipërmarrëse e zonja. Në fushën e modës, Rita ka arritur të ndërtojë një identitet të fortë si një ikonë stili, duke bashkëpunuar me marka të njohura ndërkombëtare dhe duke qenë një prezencë e fortë në tapetet e kuqe të ngjarjeve më prestigjioze.
Pavarësisht këtij suksesi global, Rita nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e saj. Ajo është kthyer disa herë në Kosovë për të mbështetur projekte humanitare dhe për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së të rinjve dhe fëmijëve atje.