Seanca dëgjimore për sfidat e Ballkanit Perëndimor: Çfarë pritet nga zyrtari i Departamentit të Shtetit

Një moment kyç për Ballkanin Perëndimor do të ndodhë sot në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ku nënkomiteti për Evropën do të organizojë një seancë dëgjimore me fokus në politikën amerikane dhe sfidat e sigurisë në këtë rajon delikat.

Daniel J. Lawton, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit, do të jetë dëshmitari kryesor i kësaj seance, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi zhvillimet aktuale dhe të ardhshme që prekin Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan.

Organizata Albanians for America thekson se ky takim ndodh në një kohë kur Kongresi amerikan po i kushton një vëmendje të shtuar situatës në Ballkan, duke përfshirë çështjet që lidhen me Kosovën dhe komunitetet shqiptare në rajon.

“Kjo seancë ofron një mundësi të rëndësishme për të adresuar çështjet që prekin shqiptarët dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Kongresin amerikan”, theksohet në njoftimin e organizatës.

Albanians for America ka punuar intensivisht gjatë vitit të kaluar për të forcuar lidhjet me ligjvënësit amerikanë, duke u fokusuar në integrimin e çështjeve të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në diskutimet e politikës amerikane.

Vizitat e kongresmenëve Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Kosovë dhe Luginën e Preshevës në maj, ku ata u takuan me përfaqësues politikë dhe të komuniteteve lokale, janë një tjetër tregues i angazhimit të rritur të SHBA-së në këtë rajon.

Kongresmeni Self ka paraqitur gjithashtu “Projektligjin për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, një nismë që kërkon nga Qeveria amerikane të shqyrtojë trajtimin e pakicave etnike në Serbi.

Seanca e sotme do të mbahet në orën 10:00 sipas kohës lindore amerikane (16:00 sipas kohës së Evropës Qendrore), dhe pritet të sjellë diskutime të rëndësishme mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Nga Rubrika