Gazeta gjermane “Bild” së fundmi publikoi një artikull rreth mundësisë së tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa, si rrjedhojë e negociatave ShBA-Rusi.
Në këtë kontekst, “Bild” shkruante se një zyrtar i sigurisë së Evropës tha: “Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e (Vladimir) Putinit të vitit 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.” Kjo deklaratë, e cila është e mbështjellë në një atmosferë tensioni mes Lindjes dhe Perëndimit, ka ngritur alarme në shumë vende, veçanërisht në Ballkan, ku historia dhe politika janë të ndërlidhura ngushtë.
E gjithë kjo ndezi përsëri narrativat armiqësore pro-ruse, veçanërisht pas negociatave të nisura në Riad. Reporterët dhe analistët kanë paralajmëruar se këto lajmëra mund të shkaktojnë pasiguri dhe të minojnë stabilitetin në rajon.
Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” në një analizë të publikuar së fundmi ka theksuar se portretizimi i ridislokimit të burimeve ushtarake amerikane si një “tërheqje” është një raport i njëanshëm, i synuar për të përhapur frikë dhe shqetësim në publik. Ky interpretim, sipas ekspertëve të kësaj institucioni, shpërndan një mesazh të errët dhe të paqartë për të ardhmen e sigurisë në Evropë.
“Pavarësisht nëse motivi i medias është i drejtuar nga një agjendë politike apo një prirje ndaj sensacionalizmit, interpretimi i paralajmërimit të Presidentit Trump se ai do të ulte numrin e trupave me rreth 20,000—për shkak të barrës financiare që nuk duhet të përballohet vetëm nga taksapaguesit amerikanë—duke i nxitur vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar,” thuhet në njoftim.
Dhe në të njëjtën linjë, “OCTOPUS” ka theksuar se nga takimi Trump-Macron në Shtëpinë e Bardhë nuk dolën asnjë tregues për një tërheqje të trupave amerikane nga kontinenti evropian. Faktikisht, prania ushtarake e SHBA-së në Evropë vazhdon të mbetet e fuqishme, me rreth 65,000 trupa të përhershme, së bashku me forca rotative që e çojnë totalin në rreth 100,000 ushtarë.
Artikulli i gazetës gjermane “Bild” pati reagime të shumta edhe në Ballkanin Perëndimor, për shkak të implikimeve të tij për Kosovën. “OCTOPUS” thekson se mediat serbe e vendosën të ashtuquajturën “tërheqje” të trupave amerikane nga Kosova në qendër të raportimeve të tyre, pavarësisht se këto spekulime u adresuan menjëherë nga KFOR-i, i cili theksoi se forcat amerikane janë të domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Prania e trupave amerikane brenda KFOR-it ka qenë një faktor vendimtar në ruajtjen e paqes në Kosovë, siç u dëshmua nga roli i tyre në zmbrapsjen e sulmeve të huliganëve serbë në vitin 2023 dhe inkursionit të armatosur në veri të Kosovës në shtator 2024, i cili e detyroi NATO-n të rrisë numrin e trupave. Një tërheqje e mundshme e SHBA-së do të krijonte një vakuum të pushtetit që ekstremistët serbë mund ta interpretonin si një mundësi për të shtyrë përpara ambiciet e tyre territoriale,” thekson analiza e “OCTOPUS”.
Instituti ka shtuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë përbëhet nga dy kategori: trupa brenda KFOR-it që operojnë nën strukturën komanduese të NATO-s dhe personel që vepron jashtë kësaj strukture komanduese. Kampi Bondsteel, baza më e madhe amerikane në Ballkan, jo vetëm që strehon trupa të KFOR-it, por gjithashtu përfshin personel të inteligjencës, logjistikës dhe bashkëpunimit të sigurisë, të cilët punojnë ngushtë me institucionet e Kosovës.
Roli i SHBA-së në transformimin e FSK-së—i dëshmuar nga aprovimi i blerjes së raketave Javelin dhe, më së fundi, helikopterëve Black Hawk—nënvizon më tej rëndësinë strategjike të Kosovës. Një tërheqje e mundshme e forcave amerikane do të krijonte një vakuum të pushtetit që mund të shfrytëzohej nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë.
“OCTOPUS” ka theksuar se shqetësimet e ngritura nga artikulli i “Bild” ilustrojnë se si informacioni i vjetruar mund të ripërdoret për të ndikuar në perceptimet e reja, në varësi të kontekstit politik. Qoftë qëllimisht apo jo, një informacion i tillë mund të shërbejë si një konstrukt strategjik i destinuar për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit shtetërorë.