Arlinda Zekaj, një grua e re, u kthye nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunën e bashkëshortit të saj, vetëm për të përballur një tragjedi të tmerrshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor, kur kunati i saj, Albert Sylaj, e sulmoi atë për vdekje. Motivi i dyshuar për këtë akt të dhunshëm është hakmarrja për ndalimin e bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, nga policia.
Detajet e kësaj vrasjeje janë zbuluar në një kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila përmban informacione të rëndësishme për ngjarjen, provat e mbledhura dhe arsyet për paraburgimin e të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë, vrasja ndodhi rreth orës 21:28, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomericë të Pejës, teksa viktima ishte kthyer në shtëpi pas raportimit të dhunës.
Dokumenti i Prokurorisë thekson se Albert Sylaj e sulmoi Arlindën me sëpatë, ndërsa ajo po përpiqej të fshihej pas derës së dhomës së gjumit. “I pandehuri e merr sëpatën dhe hynë në dhomën ku ishte viktima, e cila mundohet të fshihet pas derës dhe fillon ta godas në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë,” thuhet në kërkesë.
Prokuroria e lidh këtë akt të dhunshëm me ndalimin policor të Jeton Sylajt, duke pretenduar se Albert Sylaj veproi në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e vëllait të tij.
Vrasja e tmerrshme në prani të fëmijëve
Një nga aspektet më tronditëse të ngjarjes është se vrasja ndodhi para syve të fëmijëve të Arlindës dhe të dyshuarit, si dhe nënës së tij. Kjo e bën ngjarjen edhe më të rëndë dhe të papranueshme.
Megjithatë, deri në paraqitjen e kërkesës më 28 tetor, Prokuroria dhe hetuesit nuk kishin arritur ende t’i merrnin në pyetje këta dëshmitarë okularë, duke përfshirë fëmijët dhe anëtarët e familjes.
Ky fakt është një nga arsyet pse Prokuroria e sheh si të nevojshme mbajtjen e Albert Sylajt në paraburgim, për të parandaluar ndikimin mbi dëshmitarët.
Historiku i dënimeve dhe armët e paautorizuara
Dokumenti zbulon se Albert Sylaj kishte pasur katër dënime të mëparshme për veprat penale kundër jetës dhe trupit. Prokuroria e cilëson atë si përsëritës të veprave penale, duke argumentuar se ekziston rreziku i përsëritjes së krimeve.
Përveç kësaj, ai ka pranuar se posedon një armë pistoletë A8 pa leje, e cila ende nuk është siguruar nga autoritetet. Kjo rrit rrezikun e fshehjes së provave nëse ai lihet në liri.
Pas ngjarjes tragjike, Albert Sylaj u largua dhe qëndroi në arrati deri më 27 tetor, kur u arrestua. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria autorizoi publikimin e fotografisë së tij dhe shpalljen në kërkim.
Prokuroria argumenton se rreziku i arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe fshehjes së provave është shumë i lartë, duke bërë që paraburgimi të jetë masa e vetme e përshtatshme për të siguruar hetimet e mëtejshme.