Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një thirrje të fortë për qytetarët e Kosovës që të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke theksuar se në javët e fundit, numri i rasteve të raportuara ka treguar se intensiteti i gripit ka kaluar pragun epidemik.
IKSHPK njofton se rritja e numrit të rasteve ka rezultuar në një fluks të lartë të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore, duke bërë që të jetë e rëndësishme që çdo individ të marrë parasysh vaksinimin si një opsion parandalues.
Gripi sezonal është një sëmundje akute infektive, e cila ndikon në mënyrë të veçantë tek fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Instituti thekson se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve shëndetësore të rrezikshme.
Duke pasur parasysh se sezoni i gripit zakonisht zgjat për disa muaj, IKSHPK inkurajon të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës, që të vaksinohen. Grupi i individëve që kanë prioritet për vaksinim përfshin punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, individët mbi 65 vjeç dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë i ka siguruar 85,000 doza të vaksinës për këtë sezon, dhe qytetarët mund të vaksinohen në çdo komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare. Ky hap është vendimtar për të garantuar mbrojtjen e shëndetit publik dhe për të parandaluar shpërndarjen e gripit.
Ikshpk gjithashtu inkurajon qytetarët që të zbatojnë masa të tjera parandaluese për të reduktuar rrezikun e infektimit. Këto përfshijnë mbajtjen e higjienës personale, evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë, si dhe reduktimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar.
Një tjetër masë dëshirohet të jetë evitimi i vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz, pastrimi i duarve dhe konsumimi i ushqimeve të shëndetshme të pasura me vitamina, si dhe ruajtja e një stili jetese aktiv përmes aktiviteteve fizike dhe gjumit të mjaftueshëm.
Personat e sëmurë gjithashtu duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e infeksioneve. Nëse ndiheni të prekur nga gripi, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun tuaj për të marrë trajtim me barna që munden të ndihmojnë, duke u siguruar që ato të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.