Shumë studime tregojnë se si ngjyrat mund të përcjellin qetësi, lumturi, por edhe zymtësi apo trishtim.
Pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme se çfarë ngjyrash zgjidhni për ambientin ku jetoni çdo ditë, një hapësirë ku gjithkush duhet të ndihet i/e sigurt dhe i/e relaksuar.
Ngjyrat që përdoren zakonisht për muret nuk janë vetëm e bardha, bezha apo grija klasike, por ka një gamë të gjerë nuancash që sugjerohen nga profesionistët e arredimit. Zgjedhja e ngjyrave të duhura është më shumë se thjesht preferenca; ato krijojnë një atmosferë që mund të ndihmojë në rritjen e humorit dhe reflekton identitetin tuaj në shtëpi.
Si të zgjidhni ngjyrat që sjellin lumturi në shtëpinë
Karen Haller, një eksperte globale në psikologjinë e aplikuar të ngjyrave dhe dizajnit, thotë se ngjyrat nuk janë vetëm diçka estetikisht e këndshme, por një përgjigje emocionale ndaj ambientit në përgjithësi. Pavarësisht nëse e kuptojmë ose jo, ne kemi reagime të nënvetëdijes sonë ndaj ngjyrave të ambientit të shtëpisë. Zgjedhni ngjyrat që ju bëjnë të ndiheni të qetë dhe të lumtur, sepse ato do t’ju rrethojnë çdo ditë.
Sipas teorisë së psikologjisë së ngjyrave, e verdha përfaqëson lumturinë dhe portokallia gëzimin. Por, besimet kulturore dhe lidhjet personale me ngjyrat luajnë një rol po kaq të rëndësishëm në mënyrën se si i zgjidhni nuancat. Ju mund të keni një përvojë të hidhur me ngjyrën e verdhë, ndaj kjo nuk do të thotë se kjo nuancë përcjell gëzim për ju. Zgjedhja është shumë personale; mendojini për ndjenjat që ato ngjyra ju japin.
Zbuloni “ngjyrat e lumturisë”
Kur bëhet fjalë për ngjyrën, shpesh njerëzit nisen nga preferencat apo idetë që kanë për një tonalitet të caktuar. Por, e bardha, bezha apo grija mund të zgjidhen në versionet e tyre më të lehta nëse doni nuanca të qeta dhe neutrale për më shumë relaks në shtëpi. Personat që janë më të prirur të kenë episode ankthi ose janë nervozë zgjedhin një blu të guximshme apo gri të fortë. Ngjyrat e qeta ofrojnë një mjedis të rehatshëm dhe pa stres.
Njerëzit natyrshëm tërhiqen nga jeshilja dhe bluja. Këto ngjyra u kujtojnë atyre të qenit në natyrë dhe aplikimi në shtëpi krijon një mënyrë jetese krejt normale të lidhur me natyrën. Kur njerëzit i shohin këto ngjyra, sistemi shqisor i tyre përgjigjet në mënyrë pozitive. Ato janë ngjyra që janë të njohura për efeket e tyre qetësuese dhe shfaqin një harmoni të bukur.
Krijoni një ndjenjë ekuilibri
Ekspertët nuk refuzojnë idenë e nuancave të forta, por balanca në shtëpi me këto lloj tonalitetesh është formula që duhet për më shumë harmoni dhe qetësi në shtëpi. Ofroni një sfond të njohur me elemente të forta për të kontribuar në energjinë pozitive në ambientin tuaj. Duke kombinuar ngjyrat e forta me nuanca më të buta, krijoni ekuilibrin për të cilin keni nevojë.
Si përfundim, nuk keni nevojë t’i lyeni muret tuaja në rozë të ndezur për t’u rrethuar nga ngjyra që ju bëjnë të lumtur. Ngjyra është një mënyrë më shumë për të sjellë gëzim në shtëpinë tuaj. Filloni nga pak dhe shikoni se si ndiheni në ambientin tuaj të rinovuar; ngjyrat janë aleatët tuaj në krijimin e një hapësire që ju ndihmon të zhvilloni një jetë emocionale të shëndetshme.