E enjte, 19 Shtator, 2024
17.7 C
Pristina

U arrestua për mashtrim me subvencione, mësimdhënësja në Pejë pezullohet nga puna për 6 muaj

Një mësimdhënëse është arrestuar sot në Pejë dhe e njëjta është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka mashtruar me subvencione në vlerë 300 mijë euro.

Telegrafi mëson se njëjta është mësimdhënëse në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë.

Lidhur me këtë rast, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega ka thënë për Telegrafin se mësimdhënëses automatikisht i pezullohet marrëdhënia e punës për 6 muaj.

“Lidhur me rastin na është konfirmuar se mësimdhënësja është ndaluar për 48 orë. E njëjta automatikisht pezullohet nga marrëdhënia e punës për 6 muaj”, ka thënë Gega.

Ai ka shtuar se menjëherë do të bëhet zëvendësimi i mësimdhënëses në fjalë.

“Më së largu deri të hënën do ta kemi zëvendësimin”, tha Gega.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar për Telegrafin se ndaj mësimdhënëses në fjalë javë më parë është ngritur aktakuzë.

“Është arrestuar një person për veprën penale “Mashtrimi”. Me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndaj të njëjtës Prokuroria Themelore në Pejë javë më parë ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Mashtrimi’”, ka thënë zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi. /Telegrafi/

Nga Rubrika