E martë, 5 Nëntor, 2024
12.9 C
Pristina

Vdes foshnja e porsalindur në QKUK, autopsia pritet të përcaktojë shkaqet

Një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shkaqet e vdekjes së foshnjës nuk dihen ende. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Ndrejaj bëri të ditur se janë duke e analizuar shkaktarët e mundshëm të vdekjes së foshnjës, dhe se fryti e placenta tashmë janë dërguar për autopsi.

“Ne shkaqet ende nuk i dimë, ka shkaqe të shumta që mund ta shkaktojnë vdekjen. Jemi duke e hulumtuar, kemi mbledhur analizat dhe deklaratat e mjekëve që kanë qenë kujdestar. Dyshohet se mos është edhe ndonjë infeksion. Për autopsi e kemi dorëzuar frytin dhe placentën dhe po presim rezultatet”, ka thënë Ndrejaj.

Ai shtoi se nëna e foshnjës duket se pas pasur probleme gjatë shtatzanisë, dhe se kjo ka qenë lindja e saj e tretë.

“Si duket ajo ka pas pak probleme gjatë shtatzënisë. Gjendja e pacientes është mirë, është duke u trajtuar për shkak të një infeksioni që ju ka shfaq. Lindja është kryer me operacion”, u shpreh Ndrejaj.

Ndryshe, pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti si ‘Hetim i vdekjes’.

“Është raportuar se ka ndërruar jetë një foshnje. Lidhur me rastin njësitë përkatëse policore kanë intervistuar disa persona, ndërsa nga zyrtarët e IML-së është tërhequr trupi i pajetë. Rasti në procedurë hetimore”, ka njoftuar policia përmes raportit 24 orësh. /Telegrafi/

Nga Rubrika