Ish-presidentja Vjosa Osmani ka thumbuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pas situatës së mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës.
Osmani siç duket ka vënë theksin në gjuhën e mbrëmshme të Kurtit për opozitën, e cila tha se duhet dhënë fund propagandës, mbjelljes së frikës, përçarjes e urrejtjes, shkruan Insajderi.
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritet edhe në momente shumë më të rënda. Ka ardhur momenti që t’i japim dashni për vendin tonë. Mjaft më me propagandë, me urrejtje, me përçarje, me ndjellje të frikës. Mjaft më. Aty ku ka urrejtje, duhet të sjellim vetëm dashni për njëri tjetrin dhe vendin tonë. Aty ku ka frikë, duhet të sjellim shpresë. Aty ku ka propagandë e shpifje, duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha Osmani.
“Ju ftoj të bashkoheni në këtë mision, sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, përmbylli ajo.
Kurti në vazhdimësi e ka fajësuar opozitën gjatë ditës së djeshme për situatën e krijuar mbrëmë. /Insajderi/