“Po sulmohemi vazhdimisht”, LDK paralajmëron denoncim në Polici

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se sulmet e koordinuara digjitale ndaj profileve zyrtare të kandidatit të saj për kryeministër kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes së kaluar.

Sipas reagimit të LDK-së, përmes rrjeteve të profileve të rreme, ndërhyrjeve të automatizuara dhe aktivitetit të sinkronizuar manipulativ që zhvillohet brenda pak minutash, po tentohet të krijohet artificialisht perceptimi publik dhe të ndërtohet paraprakisht një infrastrukturë propagandistike për një fushatë të ardhshme të atakimit dhe diskreditimit politik.

LDK vlerëson se bëhet fjalë për një formë të organizuar të ndërhyrjes hibride në komunikimin publik dhe në procesin demokratik në vend.

Për këtë arsye, partia ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do ta adresojë sërish këtë çështje në Policinë e Kosovës dhe në institucionet përkatëse, duke kërkuar trajtim serioz, profesional dhe urgjent të këtij aktiviteti që e cilëson si të rrezikshëm.

Nga Rubrika