Teksa Kosova po hyn në një periudhë të ndjeshme zgjedhore, ekspertët e sigurisë informative po paralajmërojnë për rreziqet që vijnë nga dezinformimi dhe fushatat e koordinuara të manipulimit në hapësirën digjitale.
Në muajt e fundit janë shfaqur faqe, rrjete dhe grupe të ndryshme në platforma online, pa identitet të qartë dhe pa informacion mbi personat apo organizatat që qëndrojnë pas tyre. Këto kanale shpesh publikojnë përmbajtje me narrativa të ndryshme politike, përfshirë edhe mesazhe që synojnë diskreditimin e institucioneve, liderëve politikë apo vetë shtetit të Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, vlerëson se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar mbrojtjen ndaj dezinformimit, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Fetoshi tha se vendi duhet të ndjekë praktikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe të krijojë një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit, e cila do të merrej me identifikimin dhe adresimin e kërcënimeve informative.
Sipas tij, mungesa e një mekanizmi të tillë institucional e lë Kosovën më të ekspozuar ndaj fushatave që synojnë të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe proceset demokratike.
Fetoshi theksoi se dezinformimi mund të përdoret si instrument për të ndikuar në opinionin publik, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, kur qytetarët përballen me një sasi të madhe informacioni nga burime të ndryshme.
Ai kërkoi rritjen e kapaciteteve të institucioneve për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo tentative për manipulim informativ apo inskenim që mund të përdoret kundër Kosovës.
Sipas tij, reagimi i shpejtë dhe i koordinuar institucional është thelbësor për të parandaluar që informacionet e pavërteta të shndërrohen në narrativa dominuese në hapësirën publike.
Fetoshi nënvizoi se mbrojtja e hapësirës informative është e lidhur ngushtë me integritetin e procesit zgjedhor dhe funksionimin demokratik të shtetit.
Në fund, ai bëri thirrje që dezinformimi të trajtohet si një sfidë serioze e sigurisë kombëtare, duke kërkuar koordinim më të madh ndërinstitucional dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur demokracinë dhe proceset zgjedhore në Kosovë./Telegrafi/