Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbrojtur me forcë figurën e Ibrahim Rugovës, duke e quajtur atë Atin themeltar të Republikës së Kosovës.
Ajo theksoi se as periudha e okupimit, as lufta dhe as vitet pas saj nuk mund të ndahen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke e vlerësuar kontributin e tij si të pazëvendësueshëm.
Në një postim të saj në Facebook, Osmani e quajti shpifje disa nga pretendimet që lidhen me figurën e Rugovës, duke i konsideruar ato si përpjekje për të falsifikuar historinë e vendit.
“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është një përpjekje e qëllimshme për ta rishkruar historinë,” shkroi ajo, duke theksuar rëndësinë e kontributit të Rugovës në ndërtimin e Kosovës.
Osmani po ashtu theksoi se gjatë pesë viteve të mandatit të saj si presidente, në takimet me liderë botërorë, ata gjithmonë kanë përmendur kontributin e Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe aleancave, duke lënë jashtë çdo lider tjetër.
“Rugova ndërtoi rezistencën politike dhe organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara. Ai gjithashtu ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë,” shtoi ajo.
Osmani e quajti të ulët çdo insinuatë për lidhje të Rugovës me Millosheviqin, duke theksuar se ai ishte vazhdimisht i sulmuar nga regjimi i atëhershëm dhe se ishte rrëmbyer nga ai regjim, siç dëshmojnë edhe dëshmitarët ndërkombëtarë.
“Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar. Historia nuk mund të rishkruhet nga shpifësit recidivistë, dhe e vërteta nuk mund të zëvendësohet nga shpifjet e tyre,” përfundoi Osmani, duke kërkuar pranim të këtij realiteti dhe vendit të Rugovës në histori dhe në zemrat e popullit të Kosovës.