Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ngritur shqetësime të forta lidhur me vonesat në procesin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se protesta gjithëpopullore është një mundësi reale nëse situata vazhdon në këtë drejtim.
Në një deklaratë për media, OVL e UÇK-së apelon për një bashkëpunim më të ngushtë mes partive politike, duke theksuar se dallimet mes tyre nuk duhet të pengojnë një çështje kaq të rëndësishme për vendin.
“Nuk mund të pranojmë që një çështje kaq delikate të zvarritet për shkak të grindjeve politike ose presioneve nga jashtë. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet të veprojnë me urgjencë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, theksojnë ata.
OVL e UÇK-së po ashtu thekson se është e papranueshme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të thelluar ndasitë politike mes grupeve të ndryshme.
Organizata kërkon që ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër të mundshëm që lejojnë procedurat parlamentare.
Sot pritej që ky ligj të hidhej në votim, por seanca plenare e Kuvendit të Kosovës u shty për një datë të pacaktuar. Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se një draft i ri për Dhomat e Specializuara pritet të jetë gati javën e ardhshme.
Kurti ka bërë të ditur se grupi punues për strategjinë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të sjellë propozimin për ligjin e ri, me përfaqësues të institucioneve dhe ekspertëve të fushës.
Gjatë seancës plenare, kryeministri theksoi rëndësinë e përmbajtjes së ligjit të ri, duke u shprehur se ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës, para se të procedohet për diskutim dhe miratim. Ai gjithashtu theksoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.