Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti,ka dhënë disa detaje në lidhje me pronën komunale që është këmbyer me atë në Badoc të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një proces i nisur më 2021 nga ish-kryetari Shpend Ahmeti dhe një proces i ri i vitit 2024.
Sipas tij kryetari Rama e ka vënë në lajthitje.
“Ne si mbikëqyrëse të komunave, trajtojmë vendimet e kuvendeve. Ato trajtohen nga monitoruesi i secilës komunë pastaj zyra ligjore e trajton në detaje se çka përmban ky vendim. Komuna e Prishtinës ka parashtruar një vendim për këmbimin e një prone me një tjetër. Pronë komunale me pronë të disa qytetarëve. Ministria e ka trajtuar këtë lëndë në bazë të dokumentacionit që i është bashkëngjitur vendimit dhe del që gjithçka është në rregull. Mirëpo, në bazë të ankesave të shumta, kemi bërë një verifikim shtesë dhe jemi në pritje të vlerësimit përfundimtar”, tha Krasniqi në emisionin DPT te Fidani në ATV.
Ai ka treguar se është njoftuar edhe Policia e Kosovës për të parë nëse ka deklarim të rrejshëm dhe nëse kanë vënë në lajthitje.
“Unë kam lajmëruar drejtorin e Policisë së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe do të shohim nëse ka deklarim të rrejshëm dhe ne jemi vënë në lajthitje. Ka supozime që faktet që janë prezantuar ndryshojnë nga realiteti. Ka elemente të konfliktit të interesit dhe ka dyshime që i referohet një vendimi të Ministrisë së Ambientit i cili nuk qëndron ashtu”, u shpreh Krasniqi.
Bazuar në çmimet në treg, një pronë rreth 7-hektarëshe në zonën Prishtina e Re më së liri kushton 23 milionë euro, ndërsa më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen që është këmbyer në Badoc, çmimet sillen prej 2 milionë e 400 mijë deri në 5 milionë e 300 mijë euro.
Shiko videon: