Kandidati i AAK-së për kryeministër Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim frymëzues me strukturat udhëheqëse të Aleancës së Gruas në Rahovec.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj e theksoi rëndësinë e grave si shtyllë kryesore të organizatës dhe u shpreh i bindur për potencialin e madh të grave në forcimin e zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës.
“Gjatë këtij takimi, u dëshmua edhe një herë forca dhe vendosmëria e zonjave tona për të çuar përpara vizionin e përbashkët për një Kosovë fituese. Gratë e Aleancës janë shtylla kryesore e organizimit tonë dhe kontribuuese të pakompromis në përpjekjet për një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar,” tha Haradinaj, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ato luajnë në komunitet.
Ai gjithashtu listoi prioritetet programore për fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare. Një nga pikat më tërheqëse të programit të tij ishte propozimi për ofrimin e 200 granteve dhe kredive pa interes çdo vit për bizneset e reja të udhëhequra nga gratë.
“Programi ynë për fuqizimin ekonomik të grave është konkret dhe i matshëm. Kjo përfshin krijimin e një platforme online për 1000 sipërmarrëse që do t’iu lehtësojë qasjen në informacion dhe mundësi financimi,” shtoi ai.
Haradinaj theksoi gjithashtu nevojën për subvencione për lehonat dhe reforma të orarit fleksibil të punës, duke e bërë ambientin e punës më të përshtatshëm për nënat që dëshirojnë të balancojnë karrierën dhe jetën familjare.
Rritja e numrit të çerdheve publike ishte një tjetër pikë e rëndësishme, e cila do të ndihmojë në mbështetje të grave që punojnë dhe duan të sigurojnë një edukim të mirëfilltë për fëmijët e tyre.
Iniciativat e Haradinajt janë në përputhje me qëllimin e tij për të krijuar një ambient më të favorshëm për gratë në botën e biznesit, një hap që pritet të jetë një nxitje e madhe për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.
Duke përfunduar, Haradinaj theksoi se dotë punojë ngushtë me gratë sipërmarrëse dhe do të angazhohet për të siguruar që ato të kenë mbështetje të vazhdueshme për të arritur sukses në aktivitetet e tyre ekonomike dhe shoqërore.