Web Analytics
E shtunë, 22 Qershor, 2024
35.3 C
Pristina

Hoti: Ministria e Financave po abuzon me paratë publike, po paguan konsulentë të jashtëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti përmes një reagimi publik thotë se Ministria e Financave po abuzon me paranë publike.

Siç ka shkruar Hoti, kjo ministri po paguan konsulentë të jashtëm duke dëmtuar buxhetin e shtetit, transmeton Telegrafi.

“Organizata ‘Demokraci Plus’ vërteton abuzimin tjetër me paranë publike të Ministrisë së Financave përmes kontratave për shërbime të veçanta. Punët që janë përgjegjësi e departamenteve dhe duhet të kryhen nga zyrtarët përkatës, Ministria paguan konsulentë të jashtëm duke dëmtuar buxhetin e shtetit”, shkruan ai.

Tutje, ai ka pohuar abuzime po ndodhin në dy departamente të kësaj ministrie.

“Punët e Departamentit të Tatimit në Pronë, për të cilat angazhohen konsulentë të jashtë, përshijnë: sqarime për komuna lidhur me tatimin në pronë, të dhënat mbi detyrimet e komunave, bashkëpunimin me Zyrat e Tatimit në Pronë nëpër komuna etj”.

“Njëjtë është edhe Departamenti për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme, ku për punët në vijim angazhohen konsulentë të jashtëm: vlerësimi i pronave të paluajtshme, përdorimin e sistemit të TI-së në vlerësimin e pronave, përgatitjen e raporteve lidhur me shpronësimet dhe këmbimet e pronave etj”, shton tutje ai.

Sipas, Hotit “abuzimi me paranë publike është arsyeja përse nuk shohim rezultate në ekonomi nga shpenzimi i 11 miliardë eurove që ka pasur kjo qeveri në menaxhim gjatë këtij mandati”.

“Ky abuzim përfshinë:1. Kontratat njëburimore. 2. Kontratat për shërbime të veçanta sikur këto në Ministrinë e Financave. 3. Pagesat e avanceve si kurrë më parë. 4. Subvencione për ndërmarrje publike dhe rrymën në veri si kurrë më parë etj”, ka pohuar Hoti.

Ndërkaq, sot organizata Demokraci Plus (D+), përmes një komunikate ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që të mos përdorë marrëveshjet për shërbime të veçanta (MShV) për vazhdim të kontratave të punës për ekspert/konsulent në pozita që duhet të plotësohen me staf të rregullt përmes procedurës së rregullt të rekrutimit.

“MFPT edhe në vitin 2024 kontraktoi të njëjtin konsulent për kryerjen e punëve të përditshme administrative.

Nga viti 2021 deri në vitin 2024, MFPT ka zhvilluar pesë aktivitete të prokurimit, në katër raste ka shpërblyer të njëjtin konsulent. Tre nga pesë aktivitetet e zhvilluara kishin për qëllim kryerjen e punëve që janë përgjegjësi e Departamentit të Tatimit në Pronë, si: dhënia e sqarimeve komunave të cilat kanë paqartësi lidhur me tatimin në pronë, përgatitja e listës me të dhëna mbi detyrimet e komunave, bashkëpunimin me Zyrat e Tatimit në Pronë nëpër komuna”, thuhet në reagimin e tyre.

Demokracia Plus theksoi se kontraktimet e tilla duhet të ndalen sepse dëmtojnë konkurrencën e lirë, krijojnë mundësi për favorizime, krijojnë pozita paralele brenda institucionit dhe dekurajojnë stafin e rregullt sepse konsulentët kanë kompensime më të larta mujore për përgjegjësitë dhe detyrat e njëjta.

Nga rubrika