Web Analytics

I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it që u plagos gjatë tensioneve në Zveçan

Botuar nga: InfoKosova

Mediat hungareze raportojnë se një ushtar i KFOR-it hungarez ka pësuar amputim të këmbës pasi ka marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.

Gazeta hungareze Telex ka njoftuar se disa ushtarë hungarezë të plagosur janë dërguar në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë pas incidentit.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, raportoi se një total prej 27 ushtarësh janë plagosur gjatë këtij incidenti.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka deklaruar se shumica e ushtarëve të plagosur janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy prej tyre vazhdon të jetë e rëndë dhe ata po trajtohen ende në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po japin maksimumin e tyre. Megjithëse po iu ofrohet kujdes mjekësor i nivelit të lartë, pas konsultimeve të përshtatshme me pacientët dhe duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara pas lëndimit, në një nga rastet ishte e nevojshme amputimi i një gjymtyre, i cili u krye me sukses të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Protesta e 29 majit në qytetin e Zveçanit, në veri të Kosovës, u karakterizua nga sulmet e serbëve ndaj trupave të KFOR-it me gurë dhe objekte të tjera të rënda, ndërsa ushtarët po qëndronin para objektit të komunës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s intervenoi pasi kishte dhënë paralajmërim paraprak, por serbët nuk u bindën.

Në këtë përplasje u përdorën gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi, ndërsa u dëgjuan edhe sirena dhe shpërthime.

Të FUNDIT