E premte, 8 Nëntor, 2024
13.7 C
Pristina

Mimoza Kusari – Lila diagnostikohet me kancer të gjirit, i nënshtrohet operacionit

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë të ditur se i është nënshtruar një operacioni, pas diagnostikimit me kancer të gjiirt.

Kusari – Lila ka njoftuar se para tre javësh është diagnostikuar me këtë sëmundje, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e ka bërë si çdo vit.

“Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit. Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kusari – Lila iu ka bërë thirrje vajzave dhe grave që t’i bëjnë kontrollet rutinore për kancerin e gjirit, sepse diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

Njoftimi i plotë:

Detektimi i hershëm shpëton jetë!

Të dashura mike dhe miq,

Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit.

Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.

Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

Një falënderim i veçantë për radiologen Dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal Dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale Dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen Dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si dhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë.

Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor.

Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet e juaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj.

Shëndet e dashuri për të gjithë ju/Sinjali/

Nga Rubrika