NATO reagon ndaj Moskës: Kërcënimet bërthamore nuk do të ndalin mbështetjen për Ukrainën

NATO ka dërguar një mesazh të qartë ndaj Moskës, duke theksuar se kërcënimet bërthamore dhe sulmet hibride nuk do të ndikojnë në mbështetje për Ukrainën. Reagimi i Aleancës vjen pas një dokumenti të dërguar nga Rusia, ku akuzat për “provokime” ndaj Kaliningradit janë të pranishme.

Zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart, shprehu shqetësimin e Aleancës për retorikën e papërgjegjshme bërthamore, duke e dënuar atë si një kërcënim të rrezikshëm. Ajo konfirmoi se NATO ka marrë letrën dhe është duke përgatitur një përgjigje zyrtare.

Dokumenti i publikuar nga Ambasada ruse në Bruksel përmes platformës X, shpreh shqetësimin e Moskës për veprimet e NATO-s, duke paralajmëruar se do të reagojë me “të gjithë arsenalin e saj” në rast se Kaliningradi izolohet.

Ambasada ruse thekson se aktiviteti ushtarak i NATO-s në kufijtë perëndimorë të Rusisë ka arritur nivele të paprecedenta, duke rritur tensionet në rajon.

Kaliningradi, i njohur si Königsberg në të kaluarën, është një territor strategjik që nuk ka kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë, por kufizohet me Poloninë dhe Lituanin, duke shtrirë bregdetin e tij përgjatë Detit Baltik.

Rusia ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbrojtur këtë territor, duke theksuar se çdo përpjekje për ta izoluar do të hasë në një përgjigje të fortë.

Vendet anëtare të NATO-s janë të shqetësuara për rritjen e sulmeve hibride që i atribuojnë Rusisë, duke rritur kështu praninë ushtarake në krahun lindor të Aleancës si një masë mbrojtëse.

“Kërcënimet hibride nga Rusia janë një shenjë dëshpërimi, por kjo nuk do të na ndalë në mbështetje për Ukrainën,” përfundoi zëdhënësja e NATO-s, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Aleancës për të mbështetur vendin e goditur nga lufta.

Nga Rubrika