“Një ditë e zakonshme në shkollë, papritur…”, bashkëmoshatarja e 15-vjeçarit reagon pas vdekjes së tij

Humbja e një nxënësi të ri ka prekur thellë shokët dhe shoqet e tij.

Në një prej reagimeve, një bashkëmoshatare tha se një ditë e zakonshme e shkollës u kthye në dhimbje.

“Ishte një ditë e zakonshme në shkollë, e papritur u kthye në dhimbjen më të madhe. Kush e kish mendu që do të të humbnim kaq herët, në një moshë kur jeta sapo kishte fillu për ty…”, thuhet në mesazh.

Më tej, shoqja i të ndjerit shpreh dhimbjen e thellë dhe kujtimin e përhershëm për të, duke theksuar se ai nuk do të harrohet kurrë.

“Prehu në paqe shoku im. Nuk do të të harrojmë kurrë. Ti do të jetosh gjithmonë në kujtimet tona, në zemrat tona”, përfundon reagimi.

Drejtoria e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit po ashtu kanë shprehur pikëllimin e madh për humbjen e të riut, duke e cilësuar atë si një djalë plot jetë, ëndrra dhe shpresë.

“Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë të gjithëve, pasi u shua në moshë të re një djalë plot jetë, ëndrra dhe shpresë. Ai do të kujtohet gjithmonë për karakterin e tij gazmor dhe sjelljen e tij të ngrohtë e miqësore me të gjithë në shkollë”, thuhet në reagim.

Nga shkolla kanë shkruar se në këto momente të vështira ndajnë dhimbjen me familjen e të ndjerit.

“U prehtë në paqe shpirti i tij i bardhë!”, përfundon reagimi i gjimnazit.

Nga policia e Kosovës,kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka njoftuar se, sipas mjekut, viktima kishte arritur pa shenja jete.

Ai dyshohet se kishte pësuar arrest kardiak.

“Me datë 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar një informatë se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull (15 vjeç), në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike”, tha ai.

Veseli ka bërë të ditur se trupi i të njejtit është dërguar në IML.

“Sipas mjekut kujdestar, viktima në Qendrën Emergjente në Ferizaj ka arritur pa shenja jete. Për këtë, ai ka lëshuar raport me shkrim, në të cilin konstatohet se viktima kishte pësuar arrest kardiak dhe është rekomanduar që trupi të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e autopsies”, ka deklaruar ai.

Nga Rubrika