Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë ka festuar në kryeqytet, pasi sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo parti renditet e para.
Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti iu drejtua simpatizantëve të shumtë që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të festuar.
Në fjalën e tij, Kurti deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.
Kurti nuk kurseu fyerjet ndaj partive opozitare, të cilët i quajti “hajvana”.
“Luftë hibride, me oligarkë që kërcënojnë punëtorë që japin pare pa hesap dhe me opozitë që bën marrëveshje edhe me dreqin kundër nesh. Por sërish kanë humbur dhe do të mbeten opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit dhe as popullit.
E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit…e kanë marrë vesh sonte të gjithë ata. Ata e kanë mashtru vetëm veten e tyre”, tha Kurti.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve pritet të konfirmohen nga KQZ në ditët në vijim. /Telegrafi/