Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora po qëndron në Kosovë për të festuar ditëlindjen e saj të 33-të.
Në vizitën e saj në vendlindje, Rita po shoqërohet nga bashkëshorti i saj Taika Waititi, babai dhe motra e saj.
Ditën e djeshme (e diel), Rita është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka postuar pamje nga ky takim, teksa e priti me tortë dhe i uroi ditëlindjen, ndërsa edhe diskutuan për artin, muzikën dhe kulturën në përgjithësi.
Në fjalën e saj, autorja e “You & I” tha se shpreson që në të ardhme te ketë projekte të përbashkëta që të mund të ndihmojnë gjeneratat e reja.
“Shpresoj se do të mund të ndihmojmë gjenerata e reja dhe bashkë të mund të inspirojmë njerëz, të hapim sa më shumë dyer që të jetë e mundur për fëmijët tanë”, tha Rita.
Tutje, ylli shqiptar i muzikës ka lavdëruar Kurtin për punën e tij, madje u shpreh se ndihet krenare që e thërret kryeministër.
“Ti ke bërë një punë të mrekullueshme, jam e lumtur që po të takoj dhe flas me ty, ti ke qenë shumë mbështetës, jam shumë krenare që të thërras kryeministri jonë”, u shpreh ajo.
Tutje, Rita foli edhe për sakrificën e depërtimit në karrierë si një emigrante nga Kosova dhe rolin e gruas në shoqëri.
“Është shumë e rëndësishme që të kujtosh se nga vjen, unë jam rritur duke e kuptuar luftën që më duhet të bëja si grua që të më marrin seriozisht, sidomos si një grua që ka shkuar në Londër nga Prishtina, për vite jam përpjekur tha thye portën dhe është shumë e bukur ta shoh që këtë tani po e bëjnë shumë gra të tjera, sidomos nga Kosova”, tha mes tjerash Rita.
Ndërkohë, nuk ka ende detaje të tjera nga vizita e saj në Kosovë dhe nëse artistja po planifikon të qëndrojë edhe gjatë festës së 28 nëntorit që shënohet këtë të martë. /Telegrafi/