Menaxheri i reperit Arkimed Lushaj (Stresi), Ardian Prenaj ka treguar se ai ndodhet në Shqipëri por nuk ka në plan për momentin që t’i dorëzohet autoriteteve.
Stresi është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi akuzohet se bashkë me Noizyn dhe persona të tjerë kanë rrahur barbarisht boksierin Med Iseni.
Prenaj ka deklaruar se Stresi ndodhet në Shqipëri, dhe për momentin nuk mendon të dorëzohet, pasi do të presë që “furtuna” të qetësohet, dhe Prokuroria të zbardhë ngjarjen.
Sipas menaxherit, Stresi nuk ka asnjë lidhje me dhunimin që i është bërë pak ditë më parë Medi Isenit në një klub nate në Pejë, ku performonte Noizy.
Ky i fundit ndodhet prej tre ditësh në qeli dhe në pritje të ekstradimit në Kosovë.
Në një intervistë për Top Channel, Ardian Prenaj ka thënë se Iseni nuk është dhunuar as nga dy këngëtarët në fjalë, por as nga grupi i Noizyt, sikundër pretendon ai. Sipas menaxherit boksieri është dhunuar nga një prej anëtarëve të grupit të Noizyt, pasi kanë pasur konflikte me njëri-tjetrin.
Si është gjendja psikologjike e Stresit… një situatë aspak e mirë për të, apo jo?
Për momentin jo! Stresi është në Shqipëri, është në vendin e tij, askush nuk e di se ku është.
Nga komunikimi që keni pasur, si ka ndodhur ngjarja? Ai shprehet se nuk ka pasur lidhje dhe se nuk e ka nxjerrë në pritë, sikurse Iseni pretendon?
Stresi asnjë nuk e ka prerë në besë, as Noizy nuk ka prerë asnjë në besë. Ai që e ka sulmuar i pari, ka pasur probleme personale me Medi Isenin. Ka pasur probleme personale me të. Deklarimet janë dhënë të gjitha në polici, edhe unë kam deklaruar sot. Shfajësohen si Noizy si Stresi. Rasti ka qenë që njëri ka pasur problem personal me Medin, dhe njerëzit e tij janë ballafaquar me njerëzit e Stresit dhe të Noizyt. Kjo ka qenë arsyeja pse ka ndodhur sherri.