Është ndarë nga jeta veterani dhe invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe anëtar i Sindikatës së Re të KEK-ut, Cenë Kadrijaj.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi mortor nga Sindikata e Re e KEK-ut, e cila e kujtoi të ndjerin si luftëtar të lirisë, koleg të respektuar dhe njeri të përkushtuar ndaj vendit dhe punës së tij.
Sipas njoftimit, Kadrijaj që nga viti 1997 iu bashkua luftës për çlirimin e Kosovës, duke marrë pjesë në shumë beteja dhe duke u plagosur gjatë luftës. Edhe gjatë periudhës së shërimit ai vazhdoi angazhimin deri në çlirimin e vendit.
Pas luftës, ai u rikthye në jetën civile si punëtor në KEK, ku punoi me ndershmëri dhe përkushtim mes kolegëve të tij. Sindikata e Re e KEK-ut theksoi se Kadrijaj ishte njeri i urtë, zemërbardhë dhe shumë i respektuar nga të gjithë ata që e njohën.
“Sot nuk humbi vetëm familja një njeri të dashur, por edhe shokët një mik, punëtorët një koleg, ndërsa Kosova një luftëtar të saj”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Varrimi i të ndjerit Cenë Kadrijaj do të bëhet më 13 maj 2026, në ora 18:00, në Varrezat e Aqarevës në Skenderaj.