Vdekje e dyshimtë në “Nënë Naile” në Kllokot – kjo është pacientja që u gjet pa shenja jete në dhomën e spitalit

Një rast i vdekjes së dyshimtë është raportuar në Spitalin Special për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim “Nënë Naile” në Kllokot.

Ngjarja ka ndodhur më 1 maj 2026 rreth orës 16:00, kur Policia është njoftuar për një rast brenda këtij institucioni shëndetësor.

Në vendngjarje ka dalë menjëherë njësia reaguese, ku është takuar me ankuesin, mjekun N. M., rreth 60-vjeçar, i cili ka informuar se pacientja Xhezide Xheladini, rreth 69-vjeçare ishte gjetur pa shenja jete në dhomën e saj.

Pas marrjes së informatave fillestare, Policia ka njoftuar Prokuroren e Krimeve të Rënda, e cila ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshimtë” dhe të angazhohen njësitet përkatëse hetimore.

Siç mëson Sinjali, në vendin e ngjarjes kanë arritur Prokurorja e Shtetit, Njësia e Hetimeve Rajonale dhe forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për kryerjen e riteve mortore, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga Hetimet Rajonale.

Hetimet janë në vazhdim./Sinjali/

Nga Rubrika