Detaje të reja: Ja kush fshihet pas kullës 33-katëshe të Donald Veshajt

Donald Veshaj po bën një hap të madh dhe mjaft ambicioz, duke kaluar nga bota e televizionit dhe spektaklit drejt investimeve të mëdha në fushën e pasurive të paluajtshme.

Prej disa ditësh, lajmi se aktori dhe moderatori i njohur ka aplikuar për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në qendër të Vlorës ka pushtuar rrjetin dhe ka ngjallur kuriozitet të madh.

Por, përtej vetë projektit, pyetja që ka qarkulluar më së shumti ishte se me kë po bashkëpunon Donaldi në këtë sipërmarrje kaq të rëndësishme.

Sipas dokumenteve të publikuara në media, në mars të vitit 2024 është themeluar kompania “DGC” shpk, e cila ka në fokus pikërisht ndërtimin dhe investimet.

Në këtë kompani, Donald Veshaj zotëron 50% të aksioneve, ndërsa gjysma tjetër i përket ortakut të tij, Glenis Çobo.

Së bashku, ata synojnë të ngrenë një godinë madhështore me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, në një nga zonat më të bukura të bregdetit vlonjat.

Zhvillimet e fundit, të përcjella nga “Piranjat News”, kanë zbuluar detaje të reja interesante rreth ortakut të Donaldit.

Sipas këtyre informacioneve, Glenis Çobo është një emër me lidhje shumë të njohura familjare në Vlorë.

Ai përflitet si dhëndri i biznesmenit të suksesshëm dhe pronarit të rrjetit “Big Market”, Vullnet Sina, i cili njëkohësisht mban edhe mandatin e deputetit në këtë qark.

Kjo lidhje i ka dhënë një vëmendje edhe më të madhe këtij projekti, duke e kthyer atë në një nga investimet më të përfolura të momentit.

Duket se dyshja ka bashkuar forcat për të realizuar një nga ndërtimet më strategjike në qytetin bregdetar, duke dëshmuar kështu se rrugëtimi i Donaldit në botën e biznesit sapo ka nisur fuqishëm.

Mbetet për t’u parë se kur do të nisë jetësimi i këtij projekti gjigant!

Nga Rubrika