Çifti shumë i dashur për publikun, Brikena dhe Mateo, vazhdojnë të mbeten kryefjala e mediave rozë dhe në qendër të vëmendjes edhe pas përfundimit të rrugëtimit të tyre në “Big Brother VIP Albania”.
Së fundmi, rrjetet sociale kanë zier nga thashethemet se dyshja i ka dhënë fund marrëdhënies së tyre.
Shkas për këto aludime, sipas ndjekësve vigjilentë, u bë mungesa e daljeve të tyre të përbashkëta ditët e fundit, duke bërë që shumë të dyshojnë se rrugët e tyre janë ndarë përfundimisht.
Por çfarë po ndodh realisht mes dyshes?
E vërteta e distancës së tyre u zbulua të hënën, kur Brikena ndau një postim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Ajo njoftoi fansat se po udhëtonte drejt Italisë për të vizituar familjen e saj, pas disa muajsh qëndrimi intensiv në Shqipëri.
Ky udhëtim shpjegon qartësisht mungesën e saj fizike pranë Mateos dhe ndërprerjen e përkohshme të daljeve publike si çift.
Ndërkohë që rrjeti vazhdonte me teori të ndryshme, reagimi nuk mungoi as nga ana e Mateos.
Gjatë një bashkëbisedimi virtual me ndjekësit në rubrikën “Ask me” në Instagram, ai është pyetur drejtpërdrejt për mundësinë e një filmi me Brikenën.
Me një përgjigje të shkurtër por plot domethënie, Mateo u shpreh: “Vetë lidhjen e kemi si film”.
Për t’i vënë pikat mbi “i” dhe për të shuar përfundimisht çdo dyshim në mes të këtij stuhie thashethemesh, erdhi lëvizja e papritur nga Brikena.
Ajo ka vendosur të ndryshojë fotografinë e profilit në llogarinë e saj në Instagram, duke zgjedhur një foto të sajën dhe të Mateos të krijuar me Inteligjencë Artificiale (AI).
Ky veprim i hapur duket se ishte mënyra e saj origjinale për t’u treguar të gjithëve se dashuria e tyre është e fortë, pavarësisht distancës gjeografike momentale apo thashethemeve në rrjet.
