Ariana Grande merr një pushim të nevojshëm nga skena pas kritikave të vazhdueshme

Pas përfundimit të turneut “Eternal Sunshine”, Ariana Grande ka vendosur të distancohet përkohësisht nga angazhimet dhe ekspozimi publik.

Një përfaqësues i këngëtares dhe aktores amerikane i tha revistës People se artistja do të “bëjë një hap pas nga ekspozimi publik”, pas viteve të shoqëruara me “vëzhgim dhe kritika të pandërprera” nga mediat dhe publiku.

Vendimi i Grande për të hequr dorë nga angazhimet e saj ka ndikuar edhe në pjesëmarrjen e saj në ringjalljen e muzikalit të njohur të Stephen Sondheim, “Sunday in the Park with George”. Këngëtarja, e cila është 33 vjeçe, nuk do të interpretojë më në shfaqjen që ishte planifikuar të prezantohej në teatrin Barbican të Londrës gjatë vitit 2027.

Empire Street Productions, kompania që organizon muzikalin, konfirmoi largimin e Grande nga projekti dhe shprehu respektin për vendimin e saj. “Ne e dimë se ky nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe e mbështesim plotësisht. I urojmë vetëm më të mirat,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Gjatë muajve të fundit, emri i Ariana Grande është përmendur shpesh në diskutime që lidhen me pamjen e saj dhe gjendjen shëndetësore, veçanërisht pas publikimit të albumit të saj të fundit, “Petal”.

Videoklipi i këngës promovuese tregon një këngëtare që përballet me gjykime të vazhdueshme gjatë audicioneve, duke dëgjuar komente si “nuk është mjaftueshëm e mirë” dhe “duhet të bëjë ndërhyrje estetike”, për të përfunduar me një përballje simbolike me kritikët e saj.

Sipas përfaqësuesit të artistes, Grande synon ta përfundojë turneun “e shëndetshme dhe e lumtur”, përpara se të marrë një pushim të merituar nga daljet dhe aktivitetet publike.

Mbështetja e fansave ka qenë e dukshme në rrjetet sociale, ku hashtag-u #WeLoveYouAriana është kthyer në trend, duke treguar dashurinë dhe mbështetje për artisten.

Turneu do të vijojë fillimisht me koncertet në Çikago dhe më pas në Londër, ku Grande do të japë dhjetë shfaqje në arenën O2, përpara mbylljes zyrtare të turneut më 1 shtator. Ende nuk është bërë i ditur emri i artistit që do ta zëvendësojë në muzikalin londinez.

Nga Rubrika