Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar sonte një takim rreth tre orësh, ku në fokus të diskutimeve ishte çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Pas takimit, Kurti tha se diskutimi ishte i sinqertë, serioz dhe i hapur, ndërsa bëri të ditur se bisedimet me LDK-në do të vazhdojnë.
Kurti deklaroi se për herë të parë janë diskutuar edhe emra konkretë për postin e Presidentit.
“Diskutimi ishte i sinqertë, serioz dhe i hapur. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi. Është hera e parë që kemi diskutuar me emra të përveçëm.
Udhëzimet që i kemi dakorduar herën e kaluar ua kemi bashkangjitur dhe emrat konkretë që i kemi diskutuar. Ky është hap i rëndësishëm përpara”, tha Kurti.
Ai e cilësoi procesin si të vështirë, duke thënë se diskutimi për emrat kërkon dëgjimin dhe shqyrtimin e argumenteve të të gjitha palëve.
Kurti theksoi se emrat e diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të marrë pëlqimin e tyre, pasi fillimisht duhet të arrihet dakordimi mes partive.
“Ne do të jemi plotësisht transparentë për këtë proces të bisedimeve me LDK-në, por duhet ta ruajmë dhe mbrojmë konfidencialitetin e bisedimeve të brendshme. Nuk janë emra që ne i kemi pyetur paraprakisht se a do të pranojnë, sepse paraprakisht ne duhet të dakordohemi mes vete”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti falënderoi Abdixhikun, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin për seriozitetin, sinqeritetin dhe qasjen e treguar gjatë diskutimeve.