Ngjarja tragjike e humbjes së Jetlira Foniqi, një grua 25-vjeçare e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ka tronditur thellësisht shoqërinë kosovare.
Vrasja e saj ka shkaktuar një valë protestash, duke nxitur një thirrje të fortë për veprim ndaj femicidit dhe dhunës ndaj grave.
Protesta e organizuar në sheshin e Prishtinës ka mbledhur një numër të madh qytetarësh, të cilët kërkuan që vrasjet e grave të trajtohen si një urgjencë kombëtare. Me slloganin “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, protestuesit kërkuan masa të menjëhershme për të mbrojtur jetën e grave dhe për të ndaluar dhunën në çdo formë.
Një nga zërat më të njohur që iu bashkua kësaj proteste ishte edhe artistja Tayna. Ajo shpërndau pamje nga protesta në profilin e saj në InstaStory, duke e bërë të qartë që fenomeni i dhunës dhe mentaliteti i vjetër që e mbështet atë duhet të ndalen.
Tayna shprehu shqetësimin e saj për kontrastin mes avancimeve teknologjike dhe prapambetjes shoqërore. Ajo theksoi se është e papranueshme që në një kohë kur flitet për makina fluturuese, në Kosovë ende duhet të protestohet për të drejtat më elementare të grave, përfshirë të drejtën për të jetuar.
Artistes nuk i shpëtoi as koncepti i burrërisë, që sipas saj është keqkuptuar dhe keqpërdorur për shumë vite. Ajo theksoi se shumë burra ende nuk e kuptojnë se kontrolli dhe posesiviteti nuk janë shenja dashurie, por një formë e dhunës që duhet të luftohet.
Në përfundim, Tayna bëri thirrje për zbatimin e ligjit si një nga zgjidhjet më të rëndësishme për këtë problem. Ajo theksoi se, megjithëse ligji nuk mund të ndryshojë mentalitetin brenda natës, ai ka fuqinë të shpëtojë jetë derisa shoqëria të arrijë të evoluojë.
Tragjedia e Jetlirës, e cila përfundoi me vdekjen e të dyshuarit kryesor disa ditë pas ngjarjes, e thekson nevojën urgjente për mbrojtjen e grave. Mesazhi i protestës dhe i figurave publike si Tayna është i qartë: mbrojtja e grave duhet të jetë një prioritet absolut për shoqërinë.
