Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e tensionuar në Shqipëri, duke theksuar se kjo situatë i prek të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ajo ka theksuar se Shqipëria ka një rëndësi të madhe për Kosovën dhe se institucionet shqiptare duhet të dëgjojnë kërkesat e protestuesve, sidomos ato të studentëve që po protestojnë për të drejtat e tyre.
Haxhiu ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës nga të dyja palët, duke theksuar se protestat duhet të trajtohen me seriozitet dhe maturi nga ana e institucioneve përkatëse.
Sipas saj, arroganca e institucioneve nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës, por përkundrazi, vetëm e nxit më tej protestën dhe tensionin mes palëve.
Duke u ndalur te mundësia e përfshirjes së mbështetësve të Vetëvendosjes në protestat në Shqipëri, Haxhiu ka shpjeguar se kjo nuk do të thotë se partia është përgjegjëse për veprimet e individëve.
Ajo ka sqaruar se Vetëvendosje nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e mbështetësve të saj nëse ata vendosin të protestojnë.
“Të gjithë në Kosovë e ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri. Çfarë po ndodh atje na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Është e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet,” ka thënë Haxhiu.
“Ne nuk e mbështesim dhunën dhe kërkojmë që ajo të ndalet nga të dyja palët. Qasja ndaj protestave duhet të jetë serioze dhe e matur. Arroganca vetëm e nxit situatën. Pjesëmarrja e ndonjë mbështetësi… Nuk ka pasur thirrje nga VV për t’i mbështetur protestat. Kjo nuk është përgjegjësi e VV-së,” ka përfunduar Haxhiu.