Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mendimin e tij mbi situatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe marrëdhëniet me kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.
Rama e ka cilësuar LDK-në si një parti me rëndësi për formimin e shtetit, duke theksuar se në periudha të vështira ajo ka udhëhequr popullin. Sipas tij, aktualisht, partia nuk duhet të kënaqet me pozita të ulëta si vendi i tretë në zgjedhje.
“LDK duhet të synojë vendin e parë dhe të mos pranojë të jetë e nënshtuar ndaj iniciativave autokratike të VV-së dhe Albin Kurtit. Është e papranueshme që të negociohet me ata që po e dëmtojnë vendin,” tha Rama në një intervistë për RTV Dukagjini.
Ai theksoi se është e nevojshme që LDK të rishikojë strategjinë e saj dhe të përqendrohet në zhvillimin e vendit, duke e parë Albin Kurtin si një pengesë kryesore për këtë proces.
Rama e kritikoi Abdixhikun, duke thënë se pas tri humbjeve në zgjedhje, ai duhet të lëshojë vendin për të lejuar një proces të ri dhe më të suksesshëm për LDK-në.
“Kam mbështetur Abdixhikun për pesë vjet, por është koha që ai të reflektojë. Një njeri normal duhet të kuptojë se ka ardhur koha për ndryshim,” theksoi ai.
Rama gjithashtu përmendi një situatë të papërshtatshme, ku Abdixhiku ka kontaktuar me Egzon Pacollin për të negociuar me Gëzim Sveçlën, duke e konsideruar këtë veprim si një tradhti ndaj LDK-së dhe tij personalisht.
“Është për të ardhur keq që pas kaq shumë vitesh, LDK po e lufton kryeqytetin dhe duhet të ndihmojë ata që po punojnë për të,” përfundoi Rama, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale në parti.