Vdekja e një vajze katërvjeçare nga Gjakova të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në vend.
Kjo pas deklaratave kontraverse rreth shkakut të vdekjes, ndërsa tashmë organet kompetente kanë nisur hetimet.
Të mërkurën Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Komuna e Gjakovës, gjersa thekson se nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i mirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.
“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara.
Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve”, thuhet në reagim.
“Të vdes fëmiu brenda ditës dhe të kemi deklarata kontroverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.
Edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka reaguar me shqetësim lidhur me rastin e ndodhur të hënën në QKUK, i cili përfundoi me vdekjen e një vajze 4-vjeçare nga Gjakova.
Në reagimin e KOMF-it thuhet se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë kërkuar po ashtu zbatim të plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
E në vazhdën e reagimet për vdekjen e katërvjeçares të mërkurën ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kërkoi hetim të detajuar të këtij rasti.
Vitia përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se cilido që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa pa vonesa.
“Humbja e jetës së vajzës katër vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Ndërkaq, lidhur me nisjen e hetimeve është deklaruar edhe Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit thotë se mbrojtja e jetës së fëmijës është detyrimi kryesor për çdo person, institucion apo organ tjetër.
“Marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
Me këtë rast, Avokati i Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të zhvilloj hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitoroj atë nga afër dhe nё vazhdimësi nё mënyrë qё tё siguroj se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”, thuhet në njoftim.
Por, çfarë thonë nga Spitali i Gjakovës dhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ku u trajtua katërvjeçarja?
Pas dyshimeve të ngritura nga prindërit se personeli mjekësor e ka neglizhuar rastin e vajzës së tyre duke shkaktuar fatalitet, nga Spitali i Gjakovës kanë thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.
“Në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njoftojmë se më datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë”, thuhet në reagimin për media.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashkëndjejmë me familjen”, bëhet e ditur më tej në reagimin e spitalit.
ShSKUK për rastin e 4 vjeçares nga Gjakova: U soll në gjendje të rëndë, kishte infeksion akut në shkallë të lartë
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se vajza katërvjeçare ka kërkuar ndihmë mjekësore, rreth orës 15:00, të datës 17 shkurt 2024, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Pacientja sjellët nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diagnostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse”, thuhet në njoftim.
ShSKUK ka shtuar se pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës së lartë).
“Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë më datë 19 shkurt 2024.
ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë”, thuhet tutje në njoftim.
ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme.
Ndryshe, katërvjeçarja nga Gjakova ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Familjes, mjekët në Gjakovë i kishin thënë se ajo kishte lëndime në trup, që dyshohet se i kishte marrë nga rrahja prej një të mituri, por pas vdekjes së saj në QKUK, shkak i vdekjes i ishte përmendur një tjetër gjë.
Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën, e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.
Por të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.
Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.
“E morra çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. Tu ardh nuk mund të ecte, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo vetëm qante”, ka thënë Hajra.
Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fund shpinë e ënjtje në gjoks.
Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta, kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.
Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK. /Telegrafi/