Rrahman Rama, ish-komandant i UÇK-së, ka ndarë një histori interesante dhe humoristike lidhur me një telefonatë me Jakup Krasniqin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, gjatë një interviste në emisionin “Kosova Live” në T7.
Rama shprehu se lidhjet e tij me Krasniqin datojnë që nga kohët më të vështira dhe më të lavdishme të historisë së Kosovës. Ai theksoi se ka njohur Jakupin përmes babait të tij, i cili kishte qenë mësues me të.
“Kam pasur një respekt të madh për bacin Jakup. Ai është një njeri i urtë, i sinqertë dhe atdhetar. E kam njohur aktivitetin e tij, përfshirë periudhën e tij si i burgosur politik,” tha Rama, duke përmendur një ngjarje të veçantë që ndodhi kur disa ushtarë u kapën në zonën operative të Shalës.
Rama theksoi se komunikimi i tij kryesor gjatë asaj periudhe ishte me Jakup Krasniqin. Ai përmendi se kishin pasur presione të mëdha dhe se ndërkombëtarët ishin të pranishëm në situatë.
“Pas disa javësh, Jakupi më thirri dhe më informoi se policia kishte arrestuar studentët e asaj kohe,” tregoi ai, duke përshkruar situatën e tensionuar që po përjetonin në atë kohë.
Rama ndau një bisedë të veçantë me Krasniqin, ku me humor e pyeti se ku ishin arrestuar studentët. “Ai më tha se ishin në Prishtinë, dhe unë e thashë se ata ishin duke pirë kafe,” kujton ai me një buzëqeshje.
“Në atë moment, i thashë se do të flasim nesër, ishte 12 e natës, dhe ai më ktheu përgjigje me humor: ‘magari që je’, dhe ma mbylli telefonin,” përfundoi Rama, duke treguar se si edhe në ato kohëra të vështira, humori ishte një mënyrë për të përballuar situatën.