Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ku një punëtor ka humbur jetën në vendin e punës në rrethana tragjike.
Viktima është Lendrit Fetahaj, i cili dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti ku po kryheshin punime ndërtimore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:45, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe autoambulanca, e cila në orën 17:00 ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Sipas dëshmitarëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes, punëtori nuk ka rënë aksidentalisht. Ata kanë deklaruar se viktima është goditur nga krani që po operohej nga një firmë tjetër, i cili dyshohet se e ka prekur në trup dhe si pasojë e ka rrëzuar nga lartësia e madhe.
I dyshuari për rastin është identifikuar si Adem Rexhaj, i cili në momentin e incidentit po operonte kranin. Ai është shoqëruar nga policia dhe është intervistuar nga hetuesit rajonalë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë edhe prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në zhvillimet e mëvonshme, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Ngjarja ka tronditur qytetin, ndërsa mbetet të sqarohen përgjegjësitë konkrete lidhur me kushtet e sigurisë në vendin e punës dhe rolin e operatorit të kranit në këtë tragjedi./Sinjali/