Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar tri pika që lidhen me tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026, përfshirë tarifat për sistemin e transmetimit, sistemin e shpërndarjes dhe furnizimin me shërbim universal, pa ndryshime apo rritje të tarifave për konsumatorët.
Me pesë vota për është miratuar pika e parë e rendit të ditës, shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se analizat janë bërë në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi dhe se ndryshimet në nivelin e shitjeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut.
“Këto analiza janë bërë në përputhje me pikën e parë të rendit të ditës: shqyrtimi i propozimeve për tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit të tregut. Kostoja e ciklit të operimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë ka ndikuar në tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për fondin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi.
Tarifat për shfrytëzimin e sistemit dhe tregut mbulojnë: Kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të sistemit të transmetimit. Kjo është në përputhje me vendimin e Bordit të ZRRE-së për të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 76 milionë e 484 mijë euro për vitin relevant tarifor 2026.
Në aplikacionin nga KOSTT-i, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur në 570.7 gigavat orë (GWh), ndërsa pas verifikimit nga ZRRE-ja, ne kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 gigavat orë (GWh). Ky ndryshim ka ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut. Të hyrat e lejuara maksimale mblidhen përmes tarifave ndaj gjeneratorëve për përdorim të rrjetit në nivel transmetimi dhe shpërndarjes”, tha ai.
Ndërkaq, me pesë vota për është miratuar edhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).
Nga Departamenti i Tarifave, Adelina Lokaj tha se tarifat e propozuara synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes dhe se, si rezultat i diferencës në nivelin e shitjeve të energjisë, tarifa mesatare ka pësuar rënie prej rreth 2.7 për qind.
“Po vazhdojmë me prezantimin e tarifave për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes, ku këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 145 milionë e 960 mijë euro për vitin relevant 2026.
Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,581 gigavat për orë, përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar me një nivel të shitjeve prej 5,745 gigavat për orë. Andaj, si rezultat i kësaj diference, tarifa mesatare ka pësuar një rënie rreth 2.7%. Kjo është llogaritur nga Departamenti i Tarifave dhe Çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas niveleve të tensionit. Tarifat janë strukturuar në mënyrë që të reflektojnë vëllimin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht niveleve të tensionit”, tha ajo.
Po ashtu, është miratuar edhe pika për shqyrtimin e propozimit për miratimin e Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO), pa ndryshime apo rritje të tarifave.
Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore dhe ka vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.
“Në kuadër të aplikacionit, tarifa furnizuese me shërbim universal ka propozuar me ndryshu strukturën tarifore, përkatësisht me eliminimin e diferencimit të ditë/natë dhe tarifave, me hek një tarifë e me apliku një tarifë të unifikuar. Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon një proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Prandaj, ZRRE nuk mendon që ky propozim duhet të aprovohet dhe mendojmë që duhet të mbetet pa ndryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave”, tha ai.