Artisti i njohur Ray J ka tronditur opinionin publik gjatë një interviste në “The Jason Lee Show”, ku ka folur hapur për prapaskenat e videos intime me Kim Kardashian, duke pretenduar se çdo gjë ka qenë e kontrolluar dhe e dirigjuar nga familja e saj.
Ai theksoi se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por janë mbajtur takime të panumërta mes Kris Jenner, Kim Kardashian, Joe Francis (krijuesi i “Girls Gone Wild”) dhe Steve Hirsch (pronari i “Vivid Entertainment”).
Sipas Ray J, në këto takime është diskutuar çdo hap: që nga mënyra se si do të realizohej videoja, deri te momenti i publikimit dhe strategjia se si do të prezantohej para mediave sikur gjithçka kishte “rrjedhur” pa dëshirën e tyre, me qëllim që të rritej fama e familjes para nisjes së reality show-t.
Gjatë bisedës, ai sqaroi pozicionin e tij duke thënë se videoja ishte e përfunduar dhe se ai nuk e ka pasur kurrë atë në duart e tij, pasi materialet qëndronin gjithmonë në kutinë e këpucëve të Kris Jenner.
Ray J zbuloi gjithashtu detaje rreth momentit të publikimit, duke treguar se pasi videoja ishte realizuar, ai kishte biseduar me Kim-in në telefon për të diskutuar nëse duhej ta publikonin tashmë që ishte gati.
Sipas tij, vetëm gjashtë orë pas asaj telefonate, videoja u bë publike për mbarë botën.
Ai hodhi akuza të rënda ndaj Jenner, duke u shprehur i konfuzuar dhe duke thënë se ajo kishte një interes të jashtëzakonshëm për t’i parë ata në ato momente, madje e kishte telefonuar më vonë për t’i kërkuar të bënin edhe një video të dytë, ku ai duhej të shfaqej edhe më “i ndyrë”.
Kjo ngjarje, e cila daton që nga viti 2007, ka pasur gjithmonë dy versione: atë të Kim-it, e cila pretendonte se ishte viktimë e publikimit, dhe këtë të Ray J, i cili këmbëngul se ishte një lëvizje marketingu e mirëmenduar përmes takimeve të organizuara.
Artisti theksoi se ndihet i përdorur, pasi kjo histori rikthehet në vëmendje sa herë që familjes Kardashian i duhet audiencë.
Ai pohoi se ekzistojnë kontrata të nënshkruara që vërtetojnë marrëveshjen mes tyre dhe u shpreh i lodhur duke u portretizuar si fajtori që shpërndau videon.
Ray J e mbylli rrëfimin e tij duke deklaruar se tashmë po mbron emrin e tij dhe nuk do të lejojë më askënd të manipulojë të vërtetën për hir të famës. /PriveLiberta/
