Përparim Rama akuza të rënda Kurtit: Ka mendësi të sëmurë, po krijon kriza dhe frikë për të kontrolluar shtetin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe qeverisë që ai udhëheq.

Rama ka komentuar zhvillimet e fundit në Skenderaj, ku prania e Njësisë Speciale të Policisë gjatë natës u cilësua prej tij si një veprim i tepruar dhe i panevojshëm.

I pari i kryeqytetit e ka krahasuar situatën në Skenderaj me një “gjendje lufte”, duke thënë se ka pasur rrugë të tjera institucionale për të vepruar nëse ka pasur ndonjë parregullsi nga autoritetet lokale.

“Ose me tregu kush jemi ne, shkojnë edhe e bllokojnë me polici Skenderajn sikur me qenë në gjendje lufte. Do të thotë, kërkoji kryetarit, nëse paska bërë diçka, kryetari i Skenderajt jashtëligjshëm, bëja thirrjen njëherë, bëja thirrjen prapë, ndërmerr masa pastaj. Ka mënyra të ndryshme se si mundesh me ftu”, ka deklaruar Rama në emisionin “Frontal” në T7.

Më tej, Rama ka drejtuar kritika të ashpra ndaj profilit politik të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për krijim të qëllimshëm të krizave dhe përdorim të frikës si mjet për të mbajtur pushtetin.

“Faktikisht vetë kryeministri nuk iu ka përgjigjur pyetjeve, në njërën anë i thotë ‘hajde prokurori hajde merrmëni mua nëse guxoni’, do të thotë e ka një attitude (qëndrim), mendësi të sëmurë që krijon, që vazhdimisht kërkon të krijojë kriza. Sepse këtë e shet ky kryeministër, kjo qeveri, ky shet kriza, shet frikë, edhe përmes frikës e kontrollon shtetin”,ka deklaruar kryetari i Prishtinës./Insajderi/

Nga Rubrika