E martë, 5 Nëntor, 2024
0.7 C
Pristina

Mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani i kërkojnë BE-së përfshirjen e Kosovës në iniciativën ECMI

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), në të cilin bën pjesë edhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se ka dorëzuar një letër të nënshkruar nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC).

Në letrën e dorëzuar, kërkohet përfshirja e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI) dhe vazhdimi i kësaj nisme edhe pas fazës së saj pilot.

BCSDN dhe KCSF theksojnë se mos-përfshirja e Kosovës është një vendim që “cenon parimet e barazisë dhe të përfshirjes,” duke nënvizuar se është e padrejtë që Kosova, një vend me perspektivë të qartë drejt integrimit në BE, të mbetet jashtë kësaj nisme për shkak të mungesës së statusit të vendit kandidat.

Në njoftimin për media, KCSF thekson se ky vendim është “në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së” dhe kërkon rishikimin e kriterit bazë për kualifikim.

Organizata shprehu edhe një herë shqetësimin e saj në takimin e mbajtur më 24 maj 2024 me drejtuesit e KEES/EESC dhe, së fundmi, në Konferencën e Nivelit të Lartë për Shoqërinë Civile, më 24 tetor në Bruksel.

“Përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian,” deklaroi KCSF në njoftimin e saj. /Telegrafi/

Nga Rubrika