Dy muaj më parë, Drenusha Latifi rrëfeu publikisht mbi dhunën fizike disavjeçare që ish-bashkëshorti, Atilla Kardesh, ushtroi mbi të.
Me të hyrë në Big Brother VIP Kosova, Latifi përmendi edhe në disa raste përjetimet që pati, teksa ujërat u trazuan nga mbrëmja e së hënës, me hyrjen e Kardeshit në këtë “reality-show”, shkruan IndeksOnline.
Akuza e kundër akuza ishin ngritur nga ish-çifti, si jashtë shtëpisë së famshme ashtu edhe brenda saj, me opinionin që reagoi negativisht ndaj Kardeshit dhe prezencës së tij në të njëjtat ambiente me viktimën e abuzimit të tij.
Megjithatë, në një vendim të Gjykatës së Prishtinës, të siguruar nga IndeksOnline, mësohet se kërkesa e Latifit për urdhër mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit është refuzuar.
Vendimi daton fiks dy muaj më parë, më 6 shtator, dhe në të refuzohet kërkesa e Latifit, e cila kishte kërkuar që të caktohet masë mbrojtëse e ndalimit të ushtrimit të dhunës, shqetësimit, afrimit në distancë prej 50 metra në ambiente publike dhe banesë, masa për kujdestari të fëmijëve si dhe caktimi i mbajtjes financiare për të.
Avokatja e Latifit kishte deponuar kërkesën në degën e gjykatës në Fushë-Kosovë më 28 gusht, për t’u deklaruar më pas kjo kërkesë si “në tërësi e pabazuar” nga organi gjykues.
Dy ditë para se të shpallej aktvendimi i gjykatës, Latifi kishte deklaruar përpara gjykatës së me ish-bashkëshortin e saj ka shumë vjet që kanë probleme, me dhunë fizike dhe psikike të ushtruar tash e sa kohë.
Në po të njëjtën seancë, avokati i Kardeshit deklaroi se një masë e tillë mbrojtëse do të kufizonte kohën e kontaktit të tij me fëmijët e çiftit – vajzën 9-vjeçare dhe djalin 6-vjeçar.
“Gjykata vlerësoi deklarimet e palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse në seancë dëgjimore, dhe nga këto deklarime gjeti se kërkesa për caktimin e urdhrit mbrojtës është e pabazuar.
Gjykata vlerësoi edhe kërkesën për caktimin e urdhrit mbrojtës të palës së mbrojtur, me arsyetimin se e njëjta nuk dëshiron të ketë asnjë lloj kontakti me palën përgjegjëse, por që erdhi në përfundim se caktimi i masave mbrojtëse nuk mund të bëhet në rrethana të tilla”, thuhet mes të tjerash në vendim të gjykatës.
“Pala e mbrojtur, para gjykatës prezantoi mungesën e perspektives se raportit te saj me palën përgjegjëse, duke deklaruar se nuk dëshiron të ketë asnjë formë të komunikimit me palën përgjegjëse. Ne çdo rrethanë, gjykata respekton vullnetin e palëve në procedurë, veçmas lidhur me çështjet e tyre personale, por në rastin e dhënë, gjykata konsideron se procedura gjyqësore sipas kërkesës për lëshimin e urdhrit mbrojtës nga dhuna ne familje, nuk është rruga e duhur ligjore që palët ndërgjyqëse t’i rregullojnë edhe ligjërisht raportet e tyre ndërpersonale”, thuhet tutje.
Shiko fotot: