I dyshuari që sulmoi fizikisht dy persona në një parking në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë, ka rënë gjatë ditës së djeshme në prangat e Policisë.
Pas identifikimit nga ana e Policisë, ai u arrestua në qytetin e Pejës dhe më pas u dërgua në mbajtje.
Sinjali mëson se i dyshuari që fillimisht i ka shkaktuar dy aksidente trafiku, e më pas i ka sulmuar shoferët e dy veturave të aksidentuara është Bekim Catot.
Catot e ka pranuar gjatë intervistimit veprën me të cilën ngarkohet dhe më pas është urdhëruar masa e ndalimit policor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i njëjti dyshohet se edhe e ka kanosur njërën nga viktimat, duke i thënë se “kom me t’vra”.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat fillestare dyshohet që i dyshuar ka shkaktuar dy aksidente trafiku dhe më pas ka sulmuar vozitësit e veturave të aksidentura.
Ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe veprimeve të tjera operative të kryera nga njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, ka rezultuar me identifikimin si dhe arrestimin e të dyshuarit. I njëjti u arrestua në orët e pasdites në qytetin e Pejës, si rrjedhojë e bashkëpunimit operativ të zgjeruar.
Ndërkohë që policia po punon në mënyrë aktive për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Sulm’ dhe “Dëmtim apo asgjësim i pasurisë”.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali/