Policia e Kosovës të mërkurën ka bastisur një lokal që është ngjitur me hyrjen e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, teksa një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë qëndruar brenda këtij lokali.
Bëhet fjalë për bastisjen në organizatën në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, e cila u tha se nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve dhe sipas njoftimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëhet fjalë për aktivitet të dyshimtë dhe e rrezikshme për sigurinë e vendit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, ka realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt.
Ndërkaq, lidhur me rastin ka shkruar edhe ministri Sveçla.
Ai ka dhënë detaje për një aktivitet të dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.
Në një shkrim në Facebook, Sveçla tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.
Ai thotë se pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je.
Sveçla theksoi se janë informuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit.
“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, u shpreh më tej.
“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, tha ai. /Telegrafi/